Reali jep lajmin e hidhur për Hazard

“Pas testeve të kryera sot për lojtarin tonë, Eden Hazard, nga shërbimet mjekësore të Real Madridit, ai është diagnostikuar me një dëmtim të muskujve në këmbën e djathtë. Në pritje të evolucionit”, – thuhet në deklaratën e bërë publike nga klubi i bardhë.

Dhe të mendosh se ylli belg, që u ble verën e kaluar për 100 milionë euro nga Chelsea, nuk e ka bërë ende debutimin për këtë sezon me “Los Blancos”. Ai nuk ka luajtur asnjë minutë deri më tani, këtë edicion.

Hazard, që u dëmtua të martën, mund të qëndrojë larg fushave të blerta për tri deri në katër javë, sipas protokollit përkatës mjekësor, referuar “skanimit” që bëri mëngjesin e sotëm. Probleme të ndryshme fizike e kanë penguar atë të performojë në nivelin më të lartë në “Bernabeu”. Hazard, përveç kësaj, kishte hyrë në listën e lojtarëve për ndeshjen kundër Valladolid, në të cilën tashmë nuk mund të jetë.

Pas përfundimit të përgatitjes parasezonale me stërvitje të veçantë, për të përmirësuar kyçin e djathtë të operuar, Hazard u bashkua me dinamikën e grupit javën e kaluar dhe u thirr nga Zinedine Zidane për t’u kthyer në fushë. Një dëmtim tjetër i parakohshëm do ta vonojë më tej debutimin në sezonin e ri me Real Madrid. Mesfushori ishte përfshirë sot në listë edhe nga trajneri i kombëtares belge, Roberto Martínez, për ndeshjet e 8, 11 dhe 15 tetorit, përkatësisht kundër Bregut të Fildishtë, Anglisë dhe Islandës.


Shtuar 30.09.2020 17:53