Shpërthen i përndjekuri politik për ndarjen nga jeta e Nexhmije Hoxhës: Xhelate!

Ditën e sotme ka ndërruar jetë e veja e ish-diktatorit Enver Hoxha, Nexhmija.

Ajo ndërroi jetë në moshën 99-vjeçare në banesën e saj në Laprakë.

Lajmi është konfirmuar nga një prej djemve të saj, Iliri.

Kreu i ish-të përndjekurve politikë, Besim Ndregjoni ka reaguar në lidhje me vdekjen e Nexhmije Hoxhës, gruaja e ish-diktatorit Enver Hoxha.

Ndregjoni tha se sot u largua nga jeta një xhelate e shoqërisë shqiptare, e cila sipas tij ka bërë krime që nuk u dënuan nga qeveritë shqiptare paskomuniste.

“Një ndjesi boshllëku do ta quaja. Që u largua një xhelatë nga shoqëria shqiptare e cila për krimet që bëri, nuk u dënua, por u dënua për kafe.

Një maskaradë e qeverive shqiptare paskomuniste që mos të dënonte krimet e saj dhe të bashkëshortit të saj Enver hoxha. Kur vdes një xhelatë nuk ka ndjesi, por ndihesh shumë i trishtuar kur mbas 30 vitesh pluralizmit politik, 4500 familje kërkojnë eshtrat e njerëzve të tyre dhe kjo klasë politike e papërgjegjshme në vend që ti gjente këto eshtra, i ka lënë këto familjarë në zi. Çdo gjë do ta pranoja, por sigurisht që Nexhmie Hoxha dhe në vitin e fundit të vdekjes së saj me librin e saj fliste me një urrejtje ndaj të përndjekurve politikë. Ndaj çfarë ndjesie mund të kesh për një xhelate,”-tha ai. /albeu.com/


Shtuar 26.02.2020 18:31