Raporti i Freedom House, Basha: Ra edhe maska e skaduar e demokracisë fasadë

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka reaguar pas publikimt të raportit të Freedom House, i cili listonte Shqipërinë në vendet e Ballkanit që shënuan rënie në nivelin e demokracisë gjatë vitit 2019, krahasuar me një vit më herët.

Basha shkruan në Facebook, se bashkë me maskat e skaduara të qeverisë, ka rënë edhe maska e skaduar e demokracisë fasadë në Shqipëri.

”Institucionet e shtetit shqiptar nuk punojnë më për njerëzit, ato punojnë për një grup në pushtet që vjedh pasuritë publike, që gënjen dhe mashtron, dhe që i braktisi njerëzit gjatë pandemisë kur ata kishin më shumë nevojë se kurre për shtetin”, shkruan ndër të tjerash Basha.

Postimi i plotë

Bashkë me maskat e skaduara të qeverisë, ka rënë edhe maska e skaduar e demokracisë fasadë në Shqipëri. Freedom House arrin në këtë konkluzion në raportin e saj të fundit që tregon se vendi ynë ka berë hapa prapa ne nivelin e demokracisë në vend: rënie në fushën e qeverisjes demokratike dhe procesit zgjedhor, vlerësim negativ për pavarësinë e gjyqësorit dhe për lirinë e mediave.

Gjithashtu, ishte zhbërja e institucionit të parlamentit nga qeveria dhe maxhoranca që e detyruan opozitën të largohet nga institucioni.

Të gjithë e shikojmë sot në kohën e pandemisë dhe krizës ekonomike sa të vërteta janë këto raporte ndërkombëtare për dështimet e qeverisë. Sepse institucionet e shtetit shqiptar nuk punojnë më për njerëzit, ato punojnë për një grup në pushtet që vjedh pasuritë publike, që gënjen dhe mashtron, dhe që i braktisi njerëzit gjatë pandemisë kur ata kishin më shumë nevojë se kurre për shtetin.

Ne duhet t’ua kthejmë institucionet njerëzve, t’ua kthejmë qeverisjen e përgjegjshme njerëzve dhe të rivendosim standardet demokratike në vend. Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm!


Shtuar 6.05.2020 09:48