Rama urdhëron shembjen e objektit ngjitur me shkollën që po ndërtohet: Hiqini nga këtu!

“Duhet ta shihni këtë që t’i japim një mundësi, një shtëpi, një gjë këtyre dhe t’i heqim që këtu sepse nuk mund të jenë mu në hyrje të shkollës, jo!…”

Pasditen e sotme kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja për marrëdhëniet me parlamentin, Elisa Spiropali kanë inspektuar punimet në shkollën 9-vjeçare të Vorës, e cila është në nderim e sipër.

Teksa ka parë punën që po bëhet në këtë terren, kryeministrit i ka bërë përshtypje fakti se dera e shkollës nuk ishte në ballë, sikurse në çdo shkollë, pasi kishte para një ndërtesë ku jetonin disa familje.

Kështu Rama ka kërkuar që ajo ndërtesë të shembet, me argumentin se “dera e shkollës nuk mund të jetë msheftas” dhe ka kërkuar që banorët që jetojnë në atë objekt të transferohen tek pallatet e reja që po bëhen.

Rama: Çfarë është kjo këtu? Ndonjë terren i shkollës këtu?

Arkitekti: Objekti është në proces rivlerësimi dhe është bërë edhe një kërkesë nga ana e Bashkisë Vorë për ta riparë.

Rama: Duhet ta shihni këtë që t’i japim një mundësi, një shtëpi, një gjë këtyre dhe t’i heqim që këtu sepse nuk mund të jenë mu në hyrje të shkollës, jo!

Tani në të gjithë ato apartamente që do bëhen të shtohen edhe këta. Është pjesë e paketës së gjerë që kemi bërë, t’i japim me këmbim metra katrorë. Tani nuk mund të jetë dera e shkollës që futesh msheftas, gjithë kjo shkollë e bukur. Duhet t’i heqim këto!


Shtuar 15.09.2020 16:08