Rama ia çoi Erdoganit “dhuratë” për Vit të Ri, juristi e cilëson të paligjshëm dëbimin e mësuesit turk

I ftuar në “ABC e mëngjesit” me Enkel Demin, juristi Jordan Daci ka folur për dëbimin e mësuesit turk Harun Çelik.

Daci theksoi se askujt që kërkon azil politik nuk mund ti refuzohet hyrja.

“Ky rast e fut Shqipërinë në rrethin e zonave problematike për personat që kërkojnë azil. Pavarësisht si e ka emrin apo nga vjen çdo person nuk duhet të diskriminohet, por duhet të ndiqen procedurat. Duhet të jemi të kujdesshëm për shkak të ndjeshmërisë që ka rasti.

Kjo duhet të trajtohet si çështje e brendshme e Turqisë dhe ne nuk duhet të bëhemi pjesë. Një person që kërkon azil dhe është në burg nuk mund ti ndjekë procedurat. Nëse ka shkelje duhet të merren përgjegjësi penale. Kemi përgjegjësi për disa vendimarrje të karakterit politik. Ne nuk i plotësojmë ktiteret për ta marrë. Problemet e rënda të karakterit social në vendin tonë shoqërohen me një korrupsion të nivelit të frikshëm. Edhe klasa politike është totalisht e çorientuar, por mund të angazhohet”, theksoi Daci.

Harun Çelik u dëbua më datë 1 janar nga Shqipëria pas një seance gjyqësore “blic”, e cila urdhëroi lirimin e tij nga burgu pasi i kishte mbaruar dënimi.

Me një koordinim si kurrë më parë, brenda pak minutash ai është marrë nga zyra e Emigracionit dhe është dërguar në Rinas për t’u hipur në avionin e “Air Albania” duke u çuar në Turqi.

Mediat turke raportuan ndërkohë që në këtë operacion morën pjesë shërbimet sekrete turke.

Deri më tani askush nga qeveria shqiptare nuk ka reaguar për dëbimin e Harun Çelik.


Shtuar 6.01.2020 09:58