Po kalonin rrugën, identifikohen dy viktimat e aksidentit tragjik në Tiranë

Janë identifikuar viktimat e aksidentit tragjik që ndodhit pasiditen e sotme në rrugë “Xhanfize Keko” në Tiranë.

Burime nga policia bëjnë me dije se viktimat janë Erion Balla 36 vjeç nga Rresheni, Mirditë dhe H.S, 72 vjeçe , banuese në Tiranë.

Ndërkohë policia ka arrestuar dy drejtuesit e mjeteve, Etjon Lazri, i cili është dërguar në spital pasi është plagosur dhe Edmond Murati, i cili ndodhet në polici për zbardhjen e ngjarjes.

Ndërkaq të tjera detaje janë zbardhur nga aksidenti i rëndë i ndodhur rreth dy orë më parë në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë, ku mbetën të vdekur në vend dy këmbësorë.

Edhe pse në fillim u raportua se viktimat ishin bashkëshortë, burime për “Faxweb.al” bëjnë me dije se ata një lidhje e tillë mes tyre nuk ekziston. Sipas informacioneve, ata ndodheshin afro 20 metra larg njëri-tjetrit tek vijat e bardha duke kaluar rrugën në momentin që ka ndodhur aksidenti tragjik.

Ndërkohë, “Faxweb.al” ka arritur të sigurojë edhe një foto nga vendi i ngjarjes. Në trotuar duket i mbuluar një prej trupave të pajetë të të aksidentuarve, ndërsa aty pranë duken edhe këpucët e hequra.

Po ashtu, në foto shihet që përplasja e makinave ka qenë aq fortë, saqë shtylla që gjendej aty afër është deformuar.


Shtuar 2.01.2020 16:45