Përflitet për një luftë të tretë botërore, çfarë po ndodh mes Iranit dhe SHBA-ve?

Një konflikt i sapondezur mes Iranit dhe SHBA-ve ka shkaktuar panik dhe frikë në të gjithë botën ndërsa është përfolur edhe për një luftë të tretë botërore.

E gjithë kjo përplasje ndodhi pasi Presidenti i Amerikës, Donald Trump vendosi eliminimin e gjeneralit shumë të rëndësishëm në Iran, Qasem Soleiman shkruan albeu.com.

Ky i fundit i konsideruar si truri i luftës dhe paqes në Lindjen e Mesme, u vra në një sulm ajror pak kohë pasi vrau një amerikan dhe sulmoi bazat amerikane në Irak.

Por si është situata aktuale në Iran në momentet që flasim?

Sulmet e Iranit me raketa balistike kundër bazave amerikane në Irak i kanë rritur shqetësimet globale për një konflikt të armatosur në Lindjen e Mesme, që do të mund të dilte jashtë kontrollit.

Thomas Warrick, ekspert në Këshillin e Atlantikut, institut me seli në Uashington, tha se çështja kryesore tani është nëse sulmet e Iranit kanë shkaktuar ndonjë viktimë amerikane.

“Presidenti (amerikan, Donald) Trump, ka qenë shumë i qartë kur ka thënë se shkaktimi i viktimave amerikane është vijë e kuqe për të”, tha Warrick për Zërin e Amerikës, derisa Pentagoni është ende duke vlerësuar dëmet.

Por Trump, menjëherë pas sulmeve me raketa, shkroi në Twitter se “gjithçka është në rregull”.

Zyrtarët në Britani, Gjermani, Francë, Poloni, Danimarkë dhe Finlandë gjithashtu konfirmuan se asnjë prej trupave të tyre në Irak nuk është vrarë apo plagosur nga raketat e Iranit.

Sikur të kishte viktima të konsiderueshme amerikane, Warrick tha se Trump, padyshim, do të urdhëronte sulme në tokën iraniane.

“Zyrtarët amerikanë kanë qenë jashtëzakonisht të qartë se çdo sulm që vret amerikanë do të marrë përgjigje nga forca ushtarake e SHBA-së. Do të jetë një nivel force me të cilën Irani thjesht nuk do të mund të matet”, tha Warrick.

Udhëheqësit botërorë i kanë bërë thirrje edhe Uashingtonit, edhe Teheranit të tregojnë përmbajtje dhe të parandalojnë daljen e situatës jashtë kontrollit.

Ndërkohë Irani nga ana e tij ka bërë disa deklarata për hakmarrje të hidhur por sulmet janë kujdesur të mos cënojnë jetën e asnjë amerikani.

Donald Trump ka bërë disa deklarata ku ka theksuar se është i gatshëm të negociojë për të gjetur një zgjidhje ndërsa theksoi se Soleiman ishte një monstër dhe tani nuk është më.

Nga ana ushtarake, të dyja palët janë shumë të fuqishme, por gjithsesi statistikisht Irani nuk mundet dot të matet me SHBA-në. /albeu.com/


Shtuar 10.01.2020 09:40