Orari i ri deri në 17:30, si do funksionojë lëvizja e makinave

Orari i ri i lëvizjes nga ora 05.00 e mëngjesit deri në orën 17.30 të pasdites duket se i ka hapur rrugën shumë qytetarëve të punojnë me turne të plota.

Gjatë këtij orari qytetarët do të kenë 90 minuta kohë për të lëvizur për nevojat e tyre, duke marrë më parë autorizimin.

Po me makinat çfarë ndodh? Këtë fakt e sqaroi Kryeministri Edi Rama në një publikim të orëve të vona të mbrëmjes së të hënës, ku deklaroi se “Durim dhe kujdes, çdo hapje do të shoqërohet me tolerancë zero për abuzimet”.

Ai shkroi se duke konsideruar urdhrin e ri të Ministrisë së Shëndetësisë nr. 256, datë 10 prill 2020, ku është zgjeruar fasha orare e lejuar për qarkullimin e automjeteve nga ora 05:00 deri në 17:30, Policia e Shtetit tërheq vëmendjen e drejtuesve të mjeteve të kategorive të lejuara dhe të autorizuara dhe sqaron që kjo fashë orare nuk nënkupton “qarkullimin e pakufizuar” të mjeteve të mësipërme.

Është e lejuar vajtja në qendrat e punës, i punonjësve të bizneseve, në fashën e parë orare 05:00-08:00 dhe kthimi nga puna në fashën e dytë orare 16:00-17:30.

Lëvizjet e tjera të pamotivura në qendrat urbane te automjeteve 4+1 nuk do të tolerohen nga Policia e Shtetit, pavarësisht autorizimeve, të cilat në raste të përsëritura të abuzimit do të pezullohen me penalitetet përkatëse.

Nisur edhe nga denoncimet e qytetarëve në adresat zyrtare të saj, për persona të caktuar që shkelin orarin e karantinës, për grup banorësh në lagje periferike të qyteteve apo për lokale që ushtrojnë aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ, Policia e Shtetit ka marrë masa duke nxjerrë në patrullim punonjës policie të Policisë Kriminale dhe së fundmi dronë inteligjentë në të gjithë territorin.


Shtuar 14.04.2020 07:14