Meta thirrje urgjente autoriteteve: Lejojini shqiptarët të hynë në vendin e tyre

Dhjetëra shqiptarë janë aktualisht të bllokuar në pikën kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë pasi policia shqiptare nuk i lejon të kalojnë.

Për këtë situatë të pazakontë ka reaguar presidenti Ilir Meta, i cili i kërkon autoriteteve shqiptare ndërhyrjen e menjëhershme për lejimin e tyre për futjen në territorin shqiptar.

“Jam shumë i shqetësuar mbi situatën e qytetarëve shqiptarë të cilët vijojnë ende të bllokuar në pikat e kalimit kufitar të Kakavijës dhe Kapshticës. Kjo situatë duhet të marrë zgjidhje të menjëhershme.

U bëj thirrje sërish të gjithë qytetarëve shqiptarë të respektojnë kushtet e urgjencës dhe domosdoshmërisë të imponuara nga pandemia e COVID-19 në pikat tona kufitare e njëkohësisht kërkoj nga autoritetet tona përgjegjëse të respektojnë, jo vetëm kërkesat e situatës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, por edhe detyrimet kushtetuese dhe ndërkombëtare që shteti ka ndaj qytetarëve të vet në një situatë të tillë”, thekson presidenti.


Shtuar 5.04.2020 15:28