Mediat turke: Harun Çelik u soll prej shërbimeve sekrete nga Shqipëria

Largimi natën, në ditë pushimi, me një vendim të papritur të mësuesit turk Harun Çelik është mbuluar gjerësisht nga mediat turke, të cilat kanë një version tjetër nga shteti shqiptar.

Mediat turke raportojnë se “paketimi i Harun Çelik ishte një operacion i shërbimit sekret turk MIT“, ndryshe nga sa është thënë me reagime të copëzuara nga policia shqiptare, raporton abcnews.al.

Një ndër mediat më të mëdha online në Turqi si “Internet Haber” shkruan: “Harun Çelik u soll në Turqi përmes një operacioni i shërbimit sekret turk MIT”.

Media turke raporton se shokët e Harunit e ndoqën makinën e policisë me vrap teksa ai dërgohej në aeroport.

“Karar” gjithashtu shkruan se ishte shërbimi sekret turk ai që dërgoi Harun Çelikun në Turqi dhe jo autoritetet shqiptare.

Deri më tani versioni për dëbimin e mësuesit turk i servirur në media nga shteti shqiptar ka qenë se “ai u deportua pasi kishte mbaruar dënimin këtu”, por ky raportim i mediave turke duket se i ndryshon gjërat duke nxjerrë në pah skenarin e përfshirjes së shërbimeve sekrete turke në këtë operacion, gjë për të cilën shteti shqiptar duhet të japë shpjegime. /abcnews.al


Shtuar 2.01.2020 16:31