Lubonja përplaset me Murrizin për ndryshimet kushtetuese: Në shërbim të Ramës!

Deputeti Myslim Murrizi, që është edhe një nga iniciatorët e draftit që kërkonte ndryshimet kushtetuese, ka debatuar ashpër në studion e “Real Story” me analistin, Fatos Lubonja.

Ndërsa Lubonja i ka cilësuar këto ndryshime si një manovër të Ramës për të fituar zgjedhjet dhe opozitën parlamentare si “pjesë të lojës së tij”, Murrizi në mbrojtje të tij e ka akuzuar Lubonjën për ngjarje të ndodhura në vitin 1997.

Fatos Lubonja: Unë mendoj se para së gjithash këtu po flitet cili është sistemi më i mirë zgjedhor. Kam thënë dhe e përsëris se Shqipëria duhet ta ndryshojë sistemin, unë kam qenë për proporcional kombëtar, por thelbi i debatit sot nuk është ky. Duhet të dimë që Shqipëria ka vendosur një pluralizëm politik, por kur vendosen rregullat e lojës nuk vendosen nga njëra pjesë kundër tjetrës por me konsensus, me një parlament normal që nesër të mos ketë konflikte që ti ke imponuar rregullat e lojës që të fitosh. Ajo që ka ndodhur sot është shkelje e parimeve të demokracisë. Pra, Rama pasi bëri marrëveshje me opozitën parlamentare, pasi kishte bërë një marrëveshje në këshillin politik meqë nuk i dalin hesapet ka përjashtuar palën e opozitës jo parlamentare, por nuk i dolën llogaritë dhe bëri dy marrëveshje.

Zoti Murrizi fliste në emër të ca partive të vogla që s’kanë mundur të kenë ndonjëherë ndonjë deputet, nuk dihet për çfarë flet zoti Murrizi. Unë nuk kam parë opozitë, kudo në botë, opozitat janë ato që nuk votojnë atë që voton mazhoranca edhe kur bëhet fjalë për buxhete, jo më në këtë rast kur opozita ka harruar që është opozitë.

Myslym Murrizi: Më fal zoti Lubonja…

Fatos Lubonja: Prit kur të mbaroj unë fol se nuk të dëgjoj dot…Në këtë aspekt kjo punë nuk ka legjitimitet, do jetë një njollë për këta zotërinjtë dhe gjithë Shqipërinë. Kjo bëhet që të maksimizojë mundësinë e vetë të fitimit duke hequr koalicionet të gjitha janë manovra. Bëhet ndryshim kushtetues pa lojtarin kryesor që është jashtë parlamentit…

Myslym Murrizi: S’kam votuar asnjë ligj unë, s’kam votuar as më 3 shtator…

Fatos Lubonja: S’po flas për ty personalisht, por në shumicë i keni votuar. Më kujtoni grupin si atëherë kur u zgjodh Bamir Topi…që rrodhën votat nga e majta

Myslym Murrizi: Unë përfaqësoj atë që do 85% e shqiptarëve, jam për lista të hapura. Nuk jam këtu për të bërë lojën e Ramës

Fatos Lubonja: Po mirë pra mos i voto ndryshimet kushtetuese

Myslym Murrizi: Pra të rri me lista të mbyllura?

Fatos Lubonja: Nëse je shërbëtor i Ramës votojë

Myslym Murrizi: Jo mo jo, unë s’kam bërë kurrë koalicion, jam aty për të prish gjellën që u gatua më 1 prill. E di unë që po përdor Damianin ai si delfin për të fituar prapë zgjedhjet

Fatos Lubonja: Të gjithë si delfinë jeni bërë ju aty

Myslym Murrizi: Unë e kam provuar veten në ‘97 zoti Lubonja, ti ke qenë i regjistruar në tjetër front

Fatos Lubonja: Lere mo ‘97…

Myslym Murrizi: Ishte në autobus tjetër ti zoti Lubonja

Fatos Lubonja: Tani të mos i hymë asaj historie

Myslym Murrizi: Meqë the njollë të zezë në histori, shqiptarët mbajnë mend të pushkatuarit e asaj kohe

Fatos Lubonja: Ti s’ke problem me diktatorët edhe ky ashtu është

Myslym Murrizi: Ndaj jam ngritur në protestë unë se kam problem me diktatorët dhe tutorët…nuk njoh tutor unë

Fatos Lubonja: Bëje me Sokolin atë muhabetin e ’97 se unë e kam mbaruar…

Myslym Murrizi: Po normal që e ke mbaruar se kanë kaluar 23 vjet


Shtuar 16.07.2020 21:48