Kryemadhi: U shkatërruan pallate në Tiranë, pse nuk ka arrestime në bashki?

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në një konferencë për mediat nuk harroi të përmendte dhe arrestimin e 31 personave për tërmetin e 26 nëntorit.

Por ajo ngre një pikëpyetje të madhe përsa i përket dëmeve që prekën edhe kryeqytetin ku madje pati edhe një viktimë.

Ajo kujton se edhe në Kombinat u prishën pallate, por askush nuk është arrestuar.

“Janë arrestuar vetëm ish-kryekomunarë të opozitës, pse nuk arrestohet njeri në bashki”, është shprehur Kryemadhi.

Kujtojmë se ditën e nesërme prokuroria pritet të mbajë seancën ku do të jepen masat e sigurisë për të arrestuarit.

Kryemadhi gjithashtu ka deklaruar se me firmosjen e dokumentit me 8 pika për Reformën Zgjedhore, detyrimet e opozitës kanë mbaruar.

Sipas saj, i vetmi që duhet të japë përgjigje për ndryshimin e sistemit zgjedhor në Shqipëri, është kryeministri Edi Rama, që sipas saj është i vetmi që ka votat për ta miratuar në Parlament./albeu.com/


Shtuar 16.01.2020 11:24