Helmimi i nxënësve në Fier, shkon në 3 numri i të rinjve të proceduar

Shkon në tre numri i të rinjve të proceduar, të dyshuar si përgjegjës për helmimin e nxënësve gjatë tre ditëve të fundit në shkollën “Janaq Kilica” në Fier.

Policia bën me dije se procedohet nga policia një tjetër nxënës i cili ka përdorur sprajtin me lëndë gazi në ambientet e brendshme të shkollës së mesme në datën 4 mars.

Specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, në vijim të punës hetimore intensive për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur në datën 4 mars 2020, në një shkollë të mesme në Fier, proceduan penalisht Xh. B., 19 vjeç, banues në Levan, Fier, nxënës i vitit të tretë në këtë shkollë.

I riu akuzohet se, në bashkëpunim me dy nxënësit e tjerë të cilët u proceduan më parë në gjendje të lirë, dyshohet se ka përdorur sprajt me lëndë gazi me mbishkrimin ‘DIVA’ në ambientet e brendshme të shkollës, duke shkaktuar shqetësime në frymëmarrje te disa nxënës të shkollës.

Ndaj 19-vjeçarit hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprat penale “Ndotja e ajrit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.


Shtuar 6.03.2020 17:48