Greqia krah Shqipërisë: Çelja e bisedimeve të miratohet në mars

Ish-kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras ka folur pro hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Nga Parisi, Tsipras theksoi paralelisht edhe rëndësinë e plotësimit të detyrimeve ndaj minoritetit grek, nga pala shqiptare.

Sipas tij, zgjerimi lejon dhe thellimin e dy procedurave që kanë ecur bashkarisht historikisht, nga vitet e para të BE-së, kur kishte një vizion aspirant për të ardhmen.

“BE nuk mund të ketë rol gjeopolitik ndërkombëtar dinamik nëse nuk aplikon një strategji të besueshme në rajonin e saj, duke mbështetur plotësisht Marrëveshjen e Prespës.

Periudha pas ngrirjes së procesit të integrimit të vendeve Ballkanike, në vitin 2014, shkaktoi destabilizim në rajon dhe fuqizimin e fuqive të treta në dëm të BE-së.

Duhet shfrytëzuar dinamika e Marrëveshjes së Prespës, që ngjalli një tjetër impakt në Shqipëri dhe në dialogun me Kosovën, ndryshe BE do të përballet me situata shumë më problematike, destabilizimin e rajonit, ndërsa do të shtohen ndjeshëm emigrantët e Ballkanit Perëndimor në Evropë.

Kohezioni i BE-së dhe procedurat integruese rezultative amplifikohen me fuqizimin e metodologjisë, sipas propozimeve zyrtare të BE-së, bazuar në vlerat dhe parimet evropiane për një Evropë më sociale, jo me pezullimin e integrimit.

BE duhet të mbështesë liderët dhe popujt e rajonit, sidomos kur janë të gatshëm të marrin vendime të guximshme e të zbatojnë reformat, në rast të kundërt thjesht ofrojmë hapësirë e justifikueshme për nacionalizmin dhe autoritarizmin”, tha ai.


Shtuar 18.02.2020 20:14