Forcat Operacionale zbarkojnë në Elbasan, kapet i shumëkërkuari që rrahu shefin e policisë në 2018

Një person është arrestuar ditën e sotme nga Policia e Elbasanit dhe Forcat Operacionale.

Këta të fundit kanë kryer një operacion gjatë orëve të para të ditës së sotme duke vënë në pranga një person të shumë kërkuar.

Operacioni u krye në lagjen “Shënkoll” të Elbasanit pasi policia lokale kishte marrë informacion se objektivi i tyre ishte në banesë.

Bëhet fjalë për 33 vjeçarin Ervis Daka, ndërsa në banesë i janë kapur armë dhe një sasi municionesh. Armët dyshohet se janë ëprdorur në ngjarje kriminale dhe pritet verifikimi i tyre në laboratorin e policisë.

Daka ka qenë i arrestuar edhe në vitin 2018 pasi bashkë me të vëllain goditën shefin e policisë, pasi kishin shkuar për të ushtruar në banesën e tyre.

Elbasan

Finalizohet operacioni policor i koduar “Shënkoll”.

Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan dhe Forcat Speciale RENEA, për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.

Sekuestrohen tri armë zjarri, silenciator, municion luftarak dhe jelek antiplumb.

Vihet në pranga 1 person me precedent të theksuar kriminal në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe krimeve ndaj personit.

Në kuadër të zbatimit të planit të masave për kontrollin e personave me precedent dhe të dyshuar për armëmbajtje pa leje, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, strukturat e DVP Elbasan, në bashkëpunim me Forcat Speciale RENEA, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Shënkoll”.

Në kuadër të operacionit, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit E. D. 33 vjeç, banues në lagjen Shënkoll, Elbasan, Policia gjeti dhe sekuestroi një arsenal armësh, konkretisht: një kallashnikov, dy pistoleta (njëra prej tyre me silenciator ), 170 fishekë dhe një jelek antiplumb.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjete dhe dy telefona celularë.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. D., për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 5.06.2020 08:16