Flet gruaja që testoi e para vaksinën kundër koronavirusit: Jam mirë!

Një grua e shëndetshme ishte baza e eksperimentit të vaksinës. Testimi është financuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit, dhe po zhvillohet në Seattle të Uashingtonit.

Megjithatë ekspertët sqaruan se testimi do të zgjasë për një periudhë kohore duke filluar nga një vit e deri në 18 muaj, përpara se të provohet plotësisht efikasiteti i saj. Testimi filloi me një vullnetare të shëndetshme, 45 vjeçare të identifikuar si Jennifer Haller, e cila u shpreh:

“Të gjithë ndihemi kaq të pafuqishëm. Kjo është një mundësi e mahnitshme për mua për të bërë diçka”.

Pas vaksinimit ajo është parë e qetë dhe me një buzëqeshje në fytyrë tha: “Ndihem mirë”.

Sakaq, sipas specialistëve, nuk ka mundësi që vullnetarët të infektohen pasi vaksina nuk përmban virus.

Por qëllimi i kësaj prove është të përcaktojë që vaksina nuk shkakton efekte anësore serioze.

Ndërkohë kujtojmë që në të gjithë botën deri më tani si pasojë e virusit famëkeq kanë humbur jetën 7,100 persona ndërsa 181.202 të tjerë janë shpallur të infektuar.


Shtuar 16.03.2020 22:12