Ardi Veliu takon Zaida Çobon dhe e pranon që nuk ishte “familje problematike”

Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka takuar ballë për ballë Zaida Çobon, nënën e 14-vjeçarit të dhunuar tek liqeni Artificial.

Veliu ka pritur sot Çobon në zyrën e tij duke u përpjekur të sqarojë kontekstin e komentit të bërë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ku përdori etiketime morale duke nxjerrë edhe një video të marrë nga profili i saj personal në rrjetet sociale.

“Sot u takuam me zonjën Zaida Çobo, e cila me të drejtë u ndje e lënduar nga komenti im që mori edhe shumë kritika publike. Dëshiroja që ndjesën time publike t’ia bëja zonjës personalisht dhe më vjen mirë për mirëkuptimin e saj.

Përfitoj nga rasti ta përsëris edhe njëherë që jam i keqardhur për komentin tim dhe shpresoj që të jetë kuptuar nga të gjithë që ato fjalë nuk kishin qëllim fare të justifikonin policin (i cili është pezulluar menjëherë pas ngjarjes).

Po ashtu nuk më ka shkuar kurrë mendja të lëndoj zonjën apo familjen e saj me atë koment. Ndjesë edhe njëherë!” – u shpreh Veliu pas bisedës, njofton Policia e Shtetit.


Shtuar 7.06.2020 15:35