E kërkonte drejtësia italiane, kapet shkodrani me dy identitete

Policia e Shkodrës ka finalizuar operacioni policor i koduar “Trushi” duke arrestuar një person, i dënuar nga drejtësia italiane.

Efektivët e policisë kanë bërë të mundur lokalizimi në qytetin e Shkodrës, të 53-vjeçarit të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

I ndaluari, Fran Malocaj, 53 vjeç alias Françesk Pashku, 52 vjeç banues në Trush, Shkodër.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Apelit ne Ankona / Itali, në vitin 2018, e ka dënuar me 6 vjet burg, për kryerjen e veprës penale “Trafik narkotikësh, kryer në bashkëpunim”.

Ky shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka trafikuar nga Shqipëria drejt Italisë, një sasi lënde narkotike të llojit kokainë.

Arrestimi provizor u krye me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957 dhe marrëveshjen dypalëshe mbi ekstradimet nënshkruar mes Republikës së Shqipërisë dhe Italisë.


Shtuar 27.04.2020 07:35