Trazoi Lushnjën e Tiranën, merret vendimi për Orgest Bilbilin

Gjykata ka vendosur arrest me burg për 30 vjeçarin Orgest Bilbili, i akuzuar për armbajtje pa leje dhe ”Vrasje e mbetur në tentativë ndaj efektivit të policisë”.

Masa e sigurisë është dhënë në ambjentet e spitalit, ku dhe po merr kujdesin mjekësor pasi u plagos në këmbë nga efektivi.

Ngjarja ndodhi dy ditë më parë, në rrugën ” Sitki Çiço”, në afërsi të një shkolle, ku punonjësi i Policisë së forcës së posaçme “Shqiponjat”, i ka kërkuar një shtetasi lejen e daljes dhe dokumentin e identifikimit.

Shtetasi Orgest Bilbili, 30 vjeç, nga Lushnja, e ka kundërshtuar punonjësin e Policisë dhe është larguar me vrap në brendësi të lagjes.

Punonjësi i Policisë e ka ndjekur dhe gjatë ndjekjes 30-vjecari i ka drejtuar pistoletën punonjësit të Policisë, duke e kërcënuar për ta vrarë.

Punonjësi i Policisë i ka bërë thirrje të hedhë armën dhe të dorëzohet, por shtetasi Orgest Bilbili nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë dhe ka vijuar lëvizjen me pistoletë në dorë.

Në zbatim të procedurës standarde të punës, punonjësi i Policisë ka qëlluar njëherë në ajër për ta paralajmëruar, ndërkohë që 30-vjeçari i ka drejtuar armën, për të qëlluar punonjësin e Policisë.

Në këto rrethana punonjësi i Policisë, i gjendur në kushtet e mbrojtjes së nevojshme, ka qëlluar në drejtim të 30-vjeçarit, duke e plagosur atë.

Fatkeqësisht, është plagosur jashtë rrezikut për jetën edhe shtetasja M. P., rreth 30 vjeçe, kalimtare e rastit.


Shtuar 12.04.2020 11:10