Avokatët e mësuesit turk kërkesë shtetit shqiptar: Pse u dëbua kur i rrezikohet jeta?

Avokatët e mësuesit turk Harun Çelik të dëbuar me urgjencë nga Shqipëria i kanë dorëzuar një kërkesë Ministrisë së Brendshme për të dhëna detaje në lidhje me procedurat e ndjekura për nxjerrjen e tij jashtë vendit ndërkohë që i rreziohej jeta në Turqi.

Abcnews.al raporton se avokatët e mësuesit turk duan të dinë nga Ministria e Brendshme bazën ligjore të ndjekur prej institucioneve shqiptare për dëbimin e tij duke akuzuar se kemi të bëjmë me një shkelje të drejtpërdrejt të të drejtave të njeriut në rastin konkret.

Sipas tyre, mësuesit turk iu mohua e drejta për azil pa asnjë argument, ndërsa nuk iu lejua edhe apelimi i vendimit për dëbim.

Harun Çelik u dëbua me urgjencë nga Shqipëria mbrëmjen e 1 janarit 2020 kur të gjithë ishin pushim me qëllim shmangien e debateve për shkak të ndjeshmërisë që kanë dëbime të tilla në Turqi nisur nga fakti se të burgosurve iu mohohen të drejtat themelore, siç është një proces i rregullt gjyqësor.

Mediat turke raportuan se marrjen e Çelikut nga Shqipëria ishte një operacion i shërbimeve sekrete turke, ndërsa deri më tani autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë asnjë shpjegim edhe pse ka kaluar 1 javë.

Shqipëria iu bashkua kështu vendeve si Afganistani, Pakistani, Gaboni, Kosova dhe Bosnja, vende nga të cilat janë rrëmbyer mësues të konsideruar si mbështetës të Lëvizjes Gylen.


Shtuar 7.01.2020 09:26