Alarm në Itali, 107 të vdekur nga koronavirusi

Ka arritur në 107 numri i viktimave të prekur nga koronavirusi në Itali. Autoritetet italiane kanë publikuar të dhënat e fundit zyrtare të përditësuar deri më ora 17.00 të datës 4 mars 2020.

Numri i personave të infektuar në Itali ka arritur në 3089, 276 prej tyre janë shëruar nga virusi.

Numri i pacientëve të shtruar në repartin e terapisë intensive është aktualisht 295, 1346 po kurohen në struktura spitalore e 1065 në kushtet e shtëpisë.

Numrin më të lartë të personave të infektuar e ka rajoni i Lombardisë me 1820 raste dhe ku janë verifikuar dhe 73 viktima.

Më pas vjen rajoni i Emilia Romagna me 544 të infektuar dhe ku janë regjistruar 22 viktima e rajoni i Venetos me 360 raste e 6 viktima.

Deri më tani në nivel kombëtar në Itali janë kryer 28837 tampone për të analizuar infektimin apo jo nga ky virus.

Valle d’Aosta është i vetmi rajon italian ku nuk është verifikuar asnjë rast me koronavirus.

Ndërsa në rajonet Kalabri, Basilicata e Bolzano janë verifikuar vetëm 1 rast.

Qeveria italiane pritet të zyrtarizoj një draft ligj të ri masash drastike për të përballuar emergjencën e koronavirusit që ka përfshirë vendin.

Gjatë ditës së sotme, 4 mars 2020, është mbajtur një mbledhje urgjente e qeverisë Conte ku sipas agjensive vendase të informacionit është marrë vendimi i mbylljes së shkollave të të gjitha cikleve në nivel kombëtar.

Kryeministri italian Giuseppe Conte ka informuar se do të mbajë gjatë mbrëmjes së sotme një konferencë mediatike për të informuar mbi masat e reja të marra nga qeveria.


Shtuar 4.03.2020 17:36