Dyshonte se i ekzekutoi të birin, zbardhen detaje nga plagosja me armë në Delvinë

Një plagosje me armë zjarri u regjistrua ditën e djeshme në Delvinë. Ngjarja ndodhi rreth orës 04:00 të mëngjesit në fshatin Kopaçëz, ku Kadri Nora, 73 vjeç, ka plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasin Martin Doda, 48 vjeç, nga Mirdita.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrjeje, për një ngjarje tjetër të ndodhur në vitin 2005. Më datë 8 shtator të atij viti, në vendin e quajtur “Pigadhe”, Kopaçëz, është gjetur i plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasi Eduard Nora, 35 vjeç.

Atë kohë, i plagosuri është transportuar rreth 1 kilometër drejt një stani, ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore dhe në pritje të asistencës policore dhe spitalore nga Saranda dhe Delvina, ka ndërruar jetë.

Ekspertiza mjeko-ligjore e atij viti zbuloi se ai ishte qëlluar me armë zjarri pistoletë, poshtë gjurit. Ngjarja u hetua edhe si vrasje, edhe si vetëvrasje, por nuk u arrit të gjendej as arma e as gëzhoja në vendin e ngjarjes. Kjo ngjarje atëherë u dyshua se ndodhi për parcelat e kanabisit në zonë, por që nuk u zbulua.

Policia e Delvinës nuk e zbardhi dot ngjarjen, duke e lënë pa autor dhe pa një motiv. Dhe ditën e djeshme, i ati i 35-vjeçarit plagos një person. Zanafillë e ngjarjes dyshohet konflikti lidhur me ngjarjen e pesë viteve të kaluara. Vendi ku ndodhi krimi atë kohë, pra “Pigadhe” në Kopaçëz, përdorej më së shumti për kultivim kanabisi, shkruan Panorama.

Autorit të ngjarjes së djeshme në fshatin Kopaçëz, Kadri Nora, mësohet se i kanë vdekur pesë djem. 4 dyshohet se kanë ndërruar jetë për shkaqe natyrale dhe një që ia vranë në vitin 2005. Gjithashtu, mësohet se mes shtetasit Kadri Nora ka pasur debate ndër vite me të plagosurin Martin Doda, të cilin ai e ka akuzuar gjithmonë për vdekjen e të birit. Martin Doda dhe Eduard Nora punonin si barinj në të njëjtin vend kur ka ndodhur ngjarja.


Shtuar 31.01.2020 08:07