Durrsakët rikthehen në banesat e rrënuara: Le të më zërë brenda

Dy muaj pas tërmetit shkatërrimtar në Durrës shumë banorë janë ende në mëshirë të fatit. Ata ankohen se autoritetet i kanë neglizhuar dhe u kanë thënë te kthehen në banesat e rrënuara. Disa prej tyre nuk kanë marrë bonusin e qirasë, ndërsa të tjerë thonë se nuk është bërë ende vlerësimi i dëmeve.

Ata enden nga zyra në zyrë. Shtëpitë u janë shpallur të pabanueshme, por në pamundësi strehë rikthehen të jetojnë aty.

“Ikëm nga hoteli dorëzova, letrat për bonus. Bonusi akoma nuk ka dalë gjeta shtëpi me qira dhe e lashë sepse nuk kisha me çfarë ta paguaja. Le të më zerë edhe mua tërmeti”, u shpreh një banor.

Të tjerë refuzohen nga autoritetet lokale, ndërsa kërkojnë bonusin e premtuar nga qeveria. Prej dy muajsh, lagjet e Durrësit të goditura nga tërmeti shkatërrimtar, ofrojnë të njëjtën pamje si mëngjesi i 26 nëntorit.

Në këtë pallat jetonin dhjetëra familje. Banesa të shkatërruara, e mure të rëna plotësisht. Kjo është ajo çfarë gjen në këtë pallat në zonën e plazhit në qytetin bregdetar. Pallati i ngjan një gërmadhe, por bashkia nuk e ka futur në listën e pallateve të pabanuara, duke mos i bërë banorët përfitues të bonusit.

“Edhe sot po të shkoj të pyes në bashki më thonë që shtëpinë e ke të banueshme. Nëse shtëpia ime është e banueshme të vijë ta shohë shteti”, shprehet një prej banoreve.

Të tjerë që sfidojnë frikën dhe rikthen.

Që prej së hënës ka hyrë në fuqi platforma online ku banorët mund të aplikojnë dëmet e shkaktuara në banesat e tyre, por qytetarët durrsakë kjo është një sfidë më vete.

“Unë nuk di të aplikoj. Le të vijë një inxhinier të masë të shikojë dhe ta bëjë punën”, tha një prej banorëve.

Ndërsa një tjetër thekson se shteti duhet të tregojë më shumë vëmendje ndaj tyre. “Pse gjithmonë duhet të jemi ne në lëvizje, të vijë shteti ti shohë”, shprehet një banore.

Por, në zyrat e bashkisë ka edhe nga ata që provojnë fatin.

“Nuk di çfarë është, hera e parë që vij. Më thonë duhet të aplikosh njëherë pastaj të vij këtu”, thotë një prej banoreve.

Kjo e moshuar përveç banesës së shkatërruar, ajo nuk mund të marrë as pensionin.

“Kam tre muaj pa marrë pensionin, nuk kam kartë identiteti, më mbetën të gjitha brenda”, tregon e moshuara.

Banorët e një blloku pallatesh të dëmtuara nga tërmeti në lagjen 13, protestuan sot për mungesën e informacionit. Ata thonë se nuk kanë asnjë informacion së çfarë po ndodh me pallatet, të cilët një grup ekspertesh i ka nxjerrë të pabanueshme, ndërsa një tjetër grup i ka klasifikuar si objekte të banueshme./abcnews.al


Shtuar 27.01.2020 18:38