Drogë dhe armë, RENEA arreston 24 persona

Në vjim të kontrollit për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale janë arrestuar 24 persona si dhe janë sekuestruar kanabis, kokainë dhe armë zjarri.

Në zbatim të planit operacional janë angazhuar të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë, forca e posaçme “Shqiponjat”, FNSH-ja, RENEA dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit dhe strukturat e Policisë Kufitare.

Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit kanë funksionuar 75 pika kontrolli në akset rrugore nacionale, në brendësi të qyteteve dhe në akset kryesore rurale, si dhe janë shtuar patrullimet në kufirin jeshil dhe atë blu.

Si rezultat i kontrolleve janë goditur tre raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla, një në Tiranë, një në Vlorë dhe një në Korçë dhe janë vënë në pranga autorët.

Është goditur një rast i armëmbajtjes pa leje në Sukth, Durrës, ku një 14-vjeçar qarkullonte me armë zjarri pistoletë me vete, janë kapur 5 persona në kërkim kombëtar dhe një në kërkim ndërkombëtar, janë goditur raste të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit etj.

Në të gjithë vendin janë arrestuar në flagrancë 24 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Po gjatë kontrolleve, janë shoqëruar për verifikim në ambientet e Komisariateve të Policisë në të gjithë vendin, 49 persona me precedent penal të mëparshëm dhe pa dokument identifikimi me vete.

Janë arrestuar 5 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti pa leje drejtimi, dhe 4 për drejtim mjeti në gjendje të dehur, si dhe janë bllokuar 12 automjete që qarkullonin pa dokumentacionin përkatës.

Policia njofton se ky operacion do të vijojë.


Shtuar 23.09.2020 12:35