DETAJET/ Në kërkim për vrasje, si u kap në mes të Tiranës me 20 mijë dollarë

Një operacion i policisë së Tiranës dhe forcës së posaçme “Shqiponja”, i koduar “Gjeneraliteti i rremë”, ka vënë në pranga një person të shumëkërkuar për vrasje.

Bëhet fjalë për një të dënuar me 17 vjet e 6 muaj e 24 ditë burgim, të cilit në momentin e arrestimit iu gjet edhe një shumë e madhe parash.

Në bazë të informacioneve të marra nga policia e Korçës se një person i shpallur në kërkim për vrasje, po qarkullonte me mjet në kryeqytet, u bë bllokimi i tij në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Kështu gjatë paradites së kësaj të diele, u vu në pranga Kastriot Fejzo, 49 vjeç, lindur dhe banues në Ersekë.

Në momentin e ndalimit 49-vjecari me qëllim për t’iu shmangur përgjegjësisë penale është prezantuar para shërbimeve të policisë me gjeneralitetet e kushëririt të tij.

Por pasi është shoqëruar është kryer verifikimi i mëtejshëm, i cili ka rezultuar se është shtetasi Kastriot Fejzo, 49 vjeç, i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kolonjë e ka dënuar me 17 vjet e 6 muaj e 24 ditë burgim për veprën penale “Vrasja me dashje, e kryer në bashkëpunim”.

Gjatë kontrollit, Fejzos iu gjetën dhe 20 mijë dollarë amerikan dhe 2 milionë lekë, të dyshuara të përfituara në mënyrë jo të ligjshme.

49-vjeçari iu dorëzua Policisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 5.01.2020 15:42