DETAJET/ Lefter Zhidru ishte konfliktuar me një banore të lagjes 5 muaj para ekzekutimit

Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me lajmin e publikuar ditën e sotme në media, se një qytetare i kishte shprehur shqetësimin e saj në lidhje me Lefter Zhidrun, duke i nisur email, drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Në njoftim theksohet se kërkesa e gruas i është përcjellë organeve përkatëse, që e kanë verifikuar dhe trajtuar problematikën dhe më pas “janë thirrur dhe kontaktuar palët e përfshira në konflikt dhe prej asaj date nuk ka patur më asnjë ankesë në polici.”

Disa nga dëshmitarët në lagjen “11 Nëntori” në Elbasan kanë thënë se Lefter Zhidru, viktima e aksionit të djeshëm prej 5 orësh të Policisë së Elbasanit dhe RENEA-s, ishte tip problematik.

Sqarimi i policisë:

Në lidhje me lajmin e publikuar në disa media se një shtetase nga lagjja “11 Nëntori”, Elbasan, i ka dërguar e-mail Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për t’i kërkuar ndihmë për një konflikt që kishte me shtetasin Lefter Zhidru, sqarojmë opinionin publik se:

Më datë 04.05.2020, në adresën zyrtare të e-mail-it [email protected], është dërguar e-mail nga zonja, e cila ka raportuar konfliktin që kishte me këtë shtetas.

Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ankesa i është përcjellë menjëherë po atë ditë strukturave përkatëse.

Këto struktura kanë verifikuar dhe trajtuar problematikën, duke kryer veprimet e nevojshme, mbi bazën e procedurave standarde të punës.

Janë thirrur dhe kontaktuar palët e përfshira në konflikt dhe prej asaj date nuk ka patur më asnjë ankesë në polici. Mes këtyre dy familjeve kishte dhe një proces civil në Gjykatën e Apelit.

Policia e Shtetit fton çdo media ta kontaktojë zyrtarisht, për të shmangur informacionet e pasakta, si dhe qytetarët të denoncojnë çdo paligjshmëri, duke iu garantuar reagim me shpejtësi dhe profesionalizëm.


Shtuar 25.09.2020 21:40