Rama: Aktivitete të tjera hapen javën e ardhshme

Kryeministri Edi Rama ka treguar këtë mbrëmje se aktivitete të tjera pritet të hapen javën e ardhshme por duke mos specifikuar se për cilat bëhet fjalë.

Rama foli këtë mbrëmje në emisionin “Real Story” në News24.

“Tani që flasim kemi afër 90% të biznesit në punë. Kështu që hapja jonë në aspektin e rikthimit në vendet e punës është masive, më masive se vendet e tjera. Janë disa aktivitete të tjera që do të hapen javën e ardhshme”, javën e ardhshme tha Rama.

Ai ka thënë më tej se mbeten disa aktivitete pa u hapur që lidhen direkt me përhapjen e virusit, si qendrat tregtare, lokale, restorante, përfshirë edhe parukeritë.

“Janë shumë të rrezikshme, se mjafton një klient i infektuar, ta transmetojë virusin te parukieret, klientët e tjerë, familjarët, etj. Akoma nuk kemi hapur kufijtë mes qyteteve dhe kjo do të ndodhë në javët në vijim, por nuk e dimë akoma kur. Po bëjmë një fragmentim të valës, duke u hapur në zonat e gjelbërta, ku do të shtojmë në fund të kësaj jave disa zona të reja”, tha Rama.

Kryeministri ka treguar se kthimi në normalitet, siç ishte para virusit, do të jetë vetëm kur të gjendet vaksina dhe se sipas tij do të jetojmë edhe dy-tre vjet me rrezikun se mund të infektohemi.


Shtuar 27.04.2020 20:27