COVID-19 i merr jetën mësuesit në Rrëshen, reagon Shahini

Koronavirusi i mori jetën mësuesit nga Rrësheni, Gjin Kola, 10 ditë pasi ishte shtruar në spital.

Në një postim në facebook, Shahini shkruan se ky është një lajm i hidhur për të gjithë stafin dhe nxënësit që ai ka edukuar ndër vite, ndërsa apelon për zbatimin e protokolleve shëndetësore.

“Çdo jetë e juaja dhe e familjarëve tuaj është e shenjtë dhe duhet mbrojtur nga të gjithë ne si shoqëri, prandaj të respektojmë me rigorozitet të gjitha protokollet shëndetësore”, thotë Shanini, ndër të tjera.

Reagimi i plotë:

Mora lajmin e hidhur që një nga mësuesit tanë të nderuar në qytetin e Rrëshenit ka humbur sot betejën me COVID-19.

Shpreh dhimbjen dhe respektin për këtë mësues të vyer e me përvojë dhjetëra vjeçare, si për stafin e shkollave ku ai ka dhënë mësim, ashtu dhe për nxënësit që ai ka edukuar ndër vite.

Ndaj këtë dhimbje me familjarët e mësuesit Kola, me nxënësit dhe kolegët e tij.

Dua të theksoj edhe një herë nevojën që gjithsecili prej nesh të zbatojë sa më me rigorozitet të gjitha masat e nevojshme për tu mbrojtur nga ky virus i pabesë dhe i padukshëm.

Çdo jetë e juaja dhe e familjarëve tuaj është e shenjtë dhe duhet mbrojtur nga të gjithë ne si shoqëri, prandaj të respektojmë me rigorozitet të gjitha protokollet shëndetësore.

Uroj SHËRIM TË SHPEJTË edhe për arsimtarët e tjerë që janë prekur nga ky virus.


Shtuar 13.08.2020 15:37