Ndodh dhe kjo! Bashkia në Skrapar hap tender për të shtruar një dreke në nder të Piperos

Mjeku Pëllumb Pipero është kthyer në një ndër njerëzit më të komentuar në media, për shkak të angazhimit të tij në luftën kundër COVID-19 në Shqipëri.

Pas angazhimit të tij mësohet se bashkia e Skraparit ka hapur tender për organizimin e një dreke për dhënien e titullit “Qytetar Nderi”.

Me rastin e dekorimit të mjekut epidemiolog si “Qytetar Nderi”, Bashkia e Skraparit ka vendosur që të shtrojë një drekë për nder të tij.

Për këtë arsye, Bashkia ka shpallur ftesën për ofertë për të gjithë të interesuarit. Tenderi do të zhvillohet më 11.06.2020, në orën 10:30.

Dreka do të ketë 60 të ftuar, ndërsa menuja parashikon tre pjata kryesore, pije dhe fruta.

Mjeku Pipero u shpall Qytetar Nderi i Skraparit në fund të muajit mars. Me propozim të kryetarit të Bashkisë Skrapar, Adriatik Mema, këshilli i bashkisë ia dha këtë titull më 28 mars.

Titulli u dha me motivacionin “Për veprimtari të shquar profesionale dhe akademike gjatë karrierës së tij në fushën e mjekësisë, veçanërisht në atë të sëmundjeve infektive, si dhe për kontributin e çmuar profesional dhe publik ne përballimin e situatës së pandemisë të shkaktuar nga Covid-19”.


Shtuar 10.06.2020 16:48