Arsenali fiton supersfidën ndaj Manchester United, fitorja e parë për Artetan (VIDEO)

Arsenal ka fituar ndeshjen e madhe të javës së 21-të të Premier League, pasi ka mundur 2-0 Manchester United në shtëpi.
“Topçinjtë”, që nuk fitonin që nga 9 dhjetori i kaluar në kampionat, kanë arritur të sigurojnë tri pikët në pjesën e parë.

Nicolas Pepe ka zhbllokuar ndeshjen në minutën e tetë me një goditje të saktë me të majtën brenda zonës së rreptësisë.

Mes lojtarëve që kanë luajtur në 5 kampionatet kryesore të Europës që nga fillimi i sezonit të kaluar, vetëm Lionel Messi (45) ka shënuar më shumë gola me të majtën në kampionat se Nicolas Pepe (24, po aq sa Salah).

Tri minuta para fundit të pjesës së parë ka ardhur goli i dytë për ekipin e Arteta-s. Sokratis ka dërguar me lehtësi topin në rrjetë pas një pritjeje shpëtimtare të De Gea-s ndaj Lacazette.

Rezultati ka mbetur i pandryshuar në pjesën e dytë dhe Arsenal ka arritur të marrë fitoren e parë në një ndeshje të kampionatit të luajtur në shtëpi pas pothuajse 3 muajsh.


Shtuar 1.01.2020 22:01