A është e sigurtë vaksina ndaj gripit?

Në një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet plus”, mjekja infeksioniste, Alma Hoxha shprehet se vaksinimit kundër gripit është shumë i rëndësishëm. Vaksina e gripit është falas për pensionistët dhe personelin shëndetësor. Ajo duhet bërë sa më parë të jetë e mundur. Vaksinimi i punonjësve të kujdesit shëndetësor është shumë i rëndësishëm për të mbrojtur vetveten dhe sidomos pacientët të cilët janë në grupet në risk. Për njerëzit që janë për herë të parë, mund të bëjnë edhe dy doza me diferencë një muaj me njëra – tjetrën. Mirë është që vaksinimin ta bëjnë të gjithë. Fillon që në moshën 6 muaj e nuk ka një kufi moshe.

Personat që e kanë të detyruar vaksinimin janë:

gratë shtatzëna.
fëmijët, sidomos ata mbi 2 vjeç, pasi është mosha kur ata shkojnë në kopshte e çerdhe, rrijnë në ambiente të mbyllura e me shumë fëmijë të tjerë dhe kanë mundësi më shumë të preken nga gripi.
personat që janë me sëmundje kronike si diabeti, sëmundjet e zemrës, sëmundje tumorale, astma.
Vaksina kundër gripit është vaksinë tetravalente, domethënë ka një spektër shumë të gjërë të mbrojtjes nga viruset dhe mbrojtja maksimale arrihet pas një muaji nga vaksinimi dhe zgjat një vit.

Si duhet të sillen nënat e reja me fëmijët e tyre gjatë kësaj periudhe?

Duhet të tregohet kujdes me veshjen. Mos t’i veshin fëmijët as shumë trashë por as shumë hollë. Të mundohen t’u veshin fëmijëve rroba të hapura që mund t’i heqin dhe veshin kollaj (me zinxhirë ose kopsa).
Kujdes duhet të tregojnë gjithashtu dhe me ambientet ku qendrojnë me fëmijët e tyre, të mos jenë ambjente të mbyllura me shumë njerëz dhe ti nxjerrin herë pas here fëmijët në ajër të pastër.
Të bëjnë një ajrosje të shtëpisë herë pas here.
T’u japin shumë lëngje fëmijëve.
Të përfshijnë vitaminën D si pjesë së dietës së fëmijës së tyre.

Ndërsa për ata që duan të dinë më shumë mbi vaksinat, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) na sjell këto informacione:

Çfarë përmban vaksina ndaj gripit?

Vaksina ndaj gripit përmban pjesë inaktive (virus të copëzuar jo të gjallë) të viruseve që mendohet se do qarkullojnë gjatë sezonit të gripit. Vaksina është mënyra më e mirë parandaluese ndaj gripit.

Si vepron vaksina?

Vaksina e gripit sezonal mbron ndaj viruseve të gripit të cilët mendohet se do të qarkullojnë gjatë sezonit të gripit, kryesisht nga Tetori deri në Maj. Kundërtrupat krijohen në organizëm dy javë pas kryerjes së vaksinës. Këto kundërtrupa mbrojnë ndaj infeksioneve të shkaktuara nga viruset e gripit, të cilët janë të ngjashme ose të njëjtë me ato viruse me të cilat është prodhuar vaksina.

Sa efektive është vaksina ndaj gripit?

Vaksina është mënyra më e mirë parandaluese ndaj gripit.Sa mirë vepron vaksina ndaj gripit apo aftësia e saj për të parandaluar sëmundjen e gripit, varion nga një sezon në tjetrin. Efektiviteti i vaksinës mund të ndryshojë edhe në varësi të individit që është vaksinuar. Të paktën dy faktorë luajnë një rol të rëndësishëm në përcaktimin e efektivitetit të vaksinës ndaj gripit. Ato janë:

Karakteristikat e individit që është vaksinuar si; mosha, shëndeti,etj.
Ngjashmëria apo përputhshmëria midis viruseve të gripit me të cilat vaksina ndaj gripit është prodhuar dhe viruseve të gripit që janë përhapur (apo qarkullojnë) në komunitet.
A do të ketë vaksina ndaj gripit të këtij sezoni një përputhje të mirë me viruset që do të jenë në qarkullim?

Nuk është e mundur të parashikohet me siguri se cili nga viruset e gripit do të qarkullojë gjatë një sezoni. Viruset e gripit janë vazhdimisht në ndryshim – ato mund të ndryshojnë nga një sezon tek tjetri, ose ato madje mund të ndryshojnë edhe gjatë një sezoni gripi.

Ekspertët përcaktojnë muaj më parë dhe zgjedhin se cilët virus të gripit do përfshihen në përbërjen e vaksinës, në mënyrë që vaksina të prodhohet dhe shpërndahet në kohë. Për shkak të këtyre faktorëve ekziston gjithmonë mundësia për një përputhje më pak se optimalja midis viruseve të gripit që janë në qarkullim dhe atyre në vaksinë.

A mund të japë vaksina mbrojtje edhe nëse vaksina nuk ka një përputhje të mirë?

Po, kundërtrupat e zhvilluar nga vaksina për një virus ndonjëherë mund të sigurojë mbrojtje kundër viruseve të tjerë të ndryshëm, por që lidhen me njëri-tjetrin.

Për këtë arsye edhe në sezonet kur ka një mospërputhje optimale, rekomandohet kryerja e vaksinës ndaj gripit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për individët me risk të lartë për të zhvilluar komplikacione të rënda nga gripi, si dhe për njerërzit që i ndihmojnë apo jetojnë me ta.

A është e sigurtë vaksina ndaj gripit?

Vaksinat ndaj gripit janë të sigurta dhe problemet serioze nga kjo vaksinë janë shumë të rralla. Efektet anësore më të zakonshme janë pak dhimbje dhe skuqje në vendin e injeksionit që kalojnë pas 1 – 2 ditësh, temperaturë e lehtë dhe kruajtje. Kryerja e vaksinës ndaj gripit nuk shkakton sëmundjen e gripit, pasi vaksina nuk përmban virus të gjallë. Ajo është inaktive.

Pse duhet të vaksinohemi?

Gripi është një infeksion viral akut, i cili përhapet lehtë nga njeriu tek njeriu. Mund të prekë çdo njeri në çdo moshë. Gripi sezonal është një problem serioz i shëndetit publik që shkakton gjendje të rëndë shëndetësore, shtrime në spital e deri në vdekje, sidomos në grupet tek grupet me risk të lartë. Nëse sëmureni me grip ju mund ta transmetoni atë tek të tjerët edhe pse mund të mos ndiheni të sëmurë apo mund të mos keni shenja klinike. Duke u vaksinuar nga gripi, ju mbroni vetveten, familjen dhe të tjerët rreth jush. Çdo vit shfaqen shtame të reja të virusit të gripit. Edhe nëse jeni vaksinuar vitin e kaluar, imuniteti që keni është jo i mjaftueshëm dhe ju nuk do të jeni të mbrojtur nga viruse që janë në qarkullim. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka quajtur ujin e pastër dhe vaksinimin si dy ndërhyrjet që kanë impaktin më të madh te njerëzimi. Vaksinimi funksionon.

Pse është i nevojshëm vaksinimi kundër gripit tek gratë shtatzëna?

Vaksinimi ndaj gripit është një element thelbësor i kujdesit prenatal. Gratë shtatzëna janë më tepër të rrezikuara që të kalojnë një sëmundje të rëndë dhe vdekje nga gripi. Raportet e rasteve dhe studimet e kufizuara tregojnë se shtatzënia mund të rrisë rrezikun e komplikacioneve të rënda të gripit. Vaksinimi ndaj gripit parandalon lindjet e parakohshme dhe abortet që vijnë si komplikacione të gripit. Gjithashtu mbrojtja e nënës nga vaksina është e vetmja strategji efektive për të sapolindurit, sepse përdorimi i vaksinës rekomandohet vetëm kur foshnjat janë mbi 6 muaj.

Gjatë cilit tremujor mund të merret vaksina ndaj gripit?

Vaksina ndaj gripit mund të merret në çdo kohë gjatë shtatzënisë. Gratë shtatzëna këshillohen të vaksinohen sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të këshillohen me gjinekologët e tyre ose ofruesit e tjerë të kujdesit shëndetësor rreth imunizimit.


Shtuar 27.01.2020 14:27