Mexhit Picari rrëfen sesi e vrau dhëndrin: Mora armën, mbusha karikatorin se me shau

Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë në Tiranë dy ditë më parë ku shtetasi Mexhit Picari qëlloi për vdekje ish-dhëndrin e tij Kudret Saliaj dhe plagosi avokatin Adriatik Cama.

Burimet për albeu.com bëjnë me dije se Picari dhe vajza e tij, në process divorci me viktimën, do të dalin para gjykatës ditën e hënë për t’u njohur me masën e sigurisë.

Në dëshminë e tij në polici, siç raportohet nga burimet, Picari ka thënë se ka patur frikë nga Kudret Saliaj, pasi sipas tij, ishte i dhunshëm.

“Isha ulur vetëm në tavolinë. Kudreti erdhi dhe shau. E dija sesa i dhunshëm ishte. Mora armën, e kisha pa karikator. E kam mbushur, kam vendosur karikatorin dhe më pas kam qëlluar në drejtim të dhëndrit”, ka thënë ai.

Ndërkohë që në momentin që ka qëlluar, Saliaj ishte me avokatin Adriatik Cama dhe një psikologe e cila pësoi tronditje nga ngjarja.

Autori dhe e bija, janë të dy pas hekurave, pasi akuzohen për vrasjen e Saliajt. Prokuroria pritet të kërkojë të hënën në gjykatën Penale të Tiranës masën e sigurimit “arrest me burg”.

Dhurata Saliaj, vajza e Mexhit Picarit u arrestua disa orë pas vrasjes, me akuzën e bashkëpunimit në vrasjen e bashkëshortit të saj, me të cilin ishte në proces divorci.

 

 

 


Shtuar 6.06.2021 11:50