Xhaferi u takua me kryetarin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s Mesterhazi

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi sot është takuar me kryerësin e detyrës kryetar i Asamblesë Parlamentare të NATO-Atilla Mesterhazi, i cili së bashku me sekretarien e përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Ruksandra Popa ishin mysafirë zyrtarë në seancën solemne në të cilën është miratuar Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes veriatlantike.

Xhaferi, kumtuan nga Kabineti i tij, e nënvizoi momentin historik të cilin sot e ndan bashkë edhe me kryetarët dhe përfaqësuesit e parlamenteve të vendeve – anëtare të NATO-s, që janë fqinjë të afërm të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si edhe me ambasadorët e të gjitha vendeve – anëtare të NATO-s.

Theksoi se, Republika e Maqedonisë së Veriut është veterane në aderimin në NATO, dhe rrumbullakimi i agjendës sonë reformuese pothuajse tredekadëshe të NATO-s, do të thotë edhe fillim i një ere të re në Aleancë, bashkë me 29 vendet-anëtare tjera.

“Republika e Maqedonisë së Veriut është e përgatitur ti ndajë vlerat e saj themelore dhe të kontribuojë në mënyrë aktive për paqen dhe sigurinë botërore. Republika e Maqedonisë së Veriut është rekord mbajtës mbi dy baza: për përpilimin e 18 planeve vjetore deri tani, por edhe për shpejtësinë me të cilën zhvillohej procesi i ratifikimit të Protokollit për anëtarësimin tonë në parlamentet nacionale të vendeve anëtare të Aleancës”, theksoi Xhaferi.

Ai shprehu shpresë se pas procesit të ratifikimit në Mbretërinë e Spanjës, vendi së shpejti do t[ë bëhet anëtare e 30-të e NATO-s.

Mesterhazi e vlerësoi këtë ditë si historike për vendin, që paraqet trashëgimi por edhe fat për gjeneratat aktuale dhe të ardhshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai e përshëndeti pjesëmarrjen e vendit në misionet e NATO-s, si faktor aktiv i cili është me interes jo vetëm për vendet anëtare por kontribuon edhe për stabilitetin, prosperitetin dhe paqen në tërë rajonin. Në raport me BE-në, ai e vlerësoi veprimin e Francës si gabim, duke theksuar se i njëjti duhet të korrigjohet sa më shpejt, për arsye se shpërqendrimi i interesit nga Ballkani Perëndimor hap mundësi për ndikim të palëve të treta që nuk shkojnë në favor të sigurisë së vendeve në këtë rrethim.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se Delegacioni parlamentar i Republikës së Maqedonisë së Veriut në AP të NATO-s së shpejti do të mund ti gëzojë privilegjet dhe ti praktikojë obligimet që rrjedhin nga anëtarësimi ynë në Aleancë dhe se bashkëpunimi i ndërsjellë do të vazhdojë dhe do të shënojë në intensitet në të ardhme.


Shtuar 11.02.2020 15:21