U dënua me 9 vite burg, avokatët mbrojtës të Boki-13 të pakënaqur

Gjykata vendosi për dënimin me burg për 9 vite të Bojan Jovanovskit dhe shtatë vite Katica Janevës pasi dje i shpalli fajtor për rastin “Reket”.

Pas shpalljes së aktgjykimit pakënaqësinë nga dënimet e shqiptuara e shfaqën edhe mbrojtja edhe prokuroria, ndërsa paralajmëruan edhe ankesa.

Mbrojtja e Katica Janevës tha se janë të dëshpëruar nga aktgjykimi dhe dënimet të cilat i kishin dëgjuar dhe paralajmëroi se do të ankohen dhe do të dorëzojnë ankesë deri te gjykatat më të larta.

“Shpresojmë se gjykatat më të larta do të kenë sens më të madh për drejtësi, për sjelljen e vendimeve të cilat bazohen në dëshmi. Do të luftojmë deri në fund si mbrojtje edhe para gjykatave vendore dhe para të gjitha gjykatave ndërkombëtare”, deklaroi Fërçkovska.

Mbrojtja e Bojan Jovanovskit, avokati Sashko Dukovski, pas shpalljes tha se aktgjykimi ishte pritur që nga fillimi i këtij procesi gjyqësor.

“Ne e dinim që ky do të ishte një dënim brutal dhe ky aktgjykim bazohet më së paku në dëshmi. Unë me të vërtetë nuk e kuptoj se në çfarë provash, por kjo është ajo. Lufta jonë nuk mbaron këtu”, deklaroi Dukovski.

Prokurorja publike Villma Ruskovska, gjithashtu, paralajmëroi ankesa për të dyja aktgjykimet, por pasi do ta marrë me shkrim aktgjykimin.

“Absolutisht, nuk jam e kënaqur me aktgjykimin për Bojan Jovanovskin, për të cilin vërtet nuk prisja më pak se dhjetë vjet burg. Sa për të dënuarën Katica Janeva, prisja në mes shtatë dhe tetë viteve burg”, deklaroi dje Ruskovska shkruan tetovasot.

Në shpalljen e aktvendimit në sallën e madhe të Gjykatës Supreme në Shkup mori pjesë vetëm i akuzuari i parë Bojan Jovanovski – Boki-13, ndërsa e akuzuara e dytë Katica Janeva nuk erdhi në gjykatë dhe vendimin e dëgjoi në arrest shtëpiak, ku do të mbesë deri sa të hyjë në fuqi aktgjykimi, sepse gjykata e hodhi poshtë propozimin e prokurorisë që në zëvendësim të arrestit shtëpiak me paraburgim. Gjykata e pranoi propozimin e prokurorisë dhe Jovanovski mbetet në paraburgim.


Shtuar 19.06.2020 12:01