Gjykata Kushtetuese diskuton sot shpërndarjen e Kuvendit

Pas përfundimit të mbledhjes së sotme të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjykatësit në mbledhje pune do të debatojnë për propozimin e gjykatësit Osman Kadriu për nisjen e procedurës me detyrim zyrtar për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Vendimit për shpërndarjen e Kuvendit.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Sali Murati, në intervistë për AIM tha se sipas vendimit për shpërndarjen e Kuvendit, për momentin nuk ka lëndë të formuar për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, por veprimi i mëtutjeshëm i Gjykatës për këtë çështje do të varet nga qëndrimi të cilin do ta ndërmarrin gjykatësit kushtetues në mbledhjen e punës.

Gjykata, paraprakisht në mbledhjen e mbajtur më 8 dhe 15 prill të vitit 2020, me shumicë votash ka vendosur të mos fillojë procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së këtij vendimi.

Por, të enjten e kaluar (30 prill), nga ana e gjykatësit Osman Kadriu është dorëzuar propozim për nisjen e procedurës sipas detyrës zyrtare për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së vendimit të njëjtë, për çka për sot është caktuar takim pune i gjykatësve, shkruan Telegraf.

Nëse gjykatësit vendosin që të fillohet procedurë sipas detyrës zyrtare, do të formohet lëndë e veçantë e cila do t’i ndahet për punë gjykatësit-raportues dhe këshilltarit shtetëror, të cilët pas përfundimit të procedurës paraprake, duhet të dorëzojnë material punues për mbledhje (referat) me propozim për vendimmarrje që do të shqyrtohet në mbledhjen e Gjykatës.

Gjithsesi, theksoi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, kjo është hipotetike nuk do të thotë paraprakisht paragjykim të vendimit të tillë, i cili duhet të sillet pas debatit paraprak për këtë çështje.

Para gjykatësve kushtetues sot duhet të jetë edhe vendimi i shefit të shtetit Stevo Pendarosvki për shpalljen e gjendje së jashtëzakonshme.


Shtuar 6.05.2020 07:30