Ali Ahmeti flet për zgjedhjet e 12 prillit dhe mos hapjen e negociatave me BE-në

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në një intervistë për KosovaPress tregon se a është i mundshëm një bashkëpunim me partitë shqiptare që janë në opozitë. Tregon sa do të vazhdojë partneriteti me LSDM-në e Zoran Zaev dhe gjithashtu flet për mos hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.

Ai tha se subjekti i tij ka një prej elektorateve më të qëndrueshëm në vend dhe pret që në zgjedhjet e 12 prillit të ketë rritje të numrit të përkrahësve. BDI tashmë është përcaktuar që të garojë e vetme në zgjedhjet që pritet të mbahen këtë pranverë në Maqedoninë e Veriut, dhe sipas Ahmetit, partitë e vogla duhet të bëhen bashkë, meqë siç thotë ai, më shumë se dy parti shqiptare në vend i bëjnë dëm atyre, duke u bërë kështu shpërndarja e votës.

Ali Ahmeti thotë se në Maqedoninë e Veriut ende janë të organizuar mbi baza etnike dhe ende ka nevojë që shqiptarët të përfaqësohen nga parti politike shqiptare me përgjegjësi

“Elektorati i Bashkimit Demokratik për Integrim është nga elektoratet më stabile në vend sipas të gjitha analizave për 18 vite me radhë që janë bërë. Por ne po bëjmë përpjekje që jo vetëm elektoratin që e kemi pasur, përkrahësit numerikisht edhe t’i rrisim dhe të gjithë janë në punë, degët e partisë, këshillat vendorë, organet e partisë, kemi emëruar shefin e shtabit qendror zgjedhor, kemi ngritë shefat e shtabeve nëpër zona, akoma nuk i kemi zyrtarizuar, akoma nuk i kemi publikuar por janë në fillim pune, që ta dinë të gjithë që mbi shpatullat e tyre do të jetë përgjegjësia e organizimit të zgjedhjeve”, thotë Ahmeti.

Sipas tij, nuk është me rëndësi cila parti shqiptare fiton, por që prioritet duhet të vendoset fitorja e shqiptarëve, meqë siç thotë ai, duke pasur mandatet e nevojshme sipas numrit që përfaqësojnë shqiptarët, janë pastaj shumë më të rëndësishëm edhe për komunitetin vendor edhe atë ndërkombëtar.

“Ne jemi përcaktuar tashmë që të shkojmë vetëm në zgjedhje, urojmë që partitë e vogla të bëhen bashkë, sepse jo njëherë e kam përsëritur, tek ne shqiptarët në Maqedoni më shumë se dy parti janë të dëmshme për shqiptarët sepse shqiptarët i bëjnë të parëndësishëm, sepse shumë parti kur ka po bëhet edhe shpërndarja e votës, duke u shpërndarë vota po humben mandatet, dhe një pësim të tillë e kemi pasur në zgjedhjet e para katër vjetëve ku kanë konkurruar gjashtë parti shqiptare dhe me këtë konkurrencë kanë humbur dhjetë mandate deputetësh shqiptarë. Kështu që nëse partitë e vogla arrin të dakordohen të bëhen bashkë, së paku mos të humben mandate”, shton ai.

Ahmeti thotë se mandati i ardhshëm për atë që do të vijë në qeveri nuk do të jetë aspak i lehtë.

Sipas tij, duhet të rritet cilësia në arsim, shëndetësi e gjykata.

Por, Ahmeti deklaron se në Maqedoninë e Veriut mund të ketë ndonjë padrejtësi në ndonjë proces gjyqësor, por jo edhe diskriminim për shqiptarët.

“Një popull që ka flamurin e vet kombëtar, një popull që ka tre universitete në gjuhën e vet, dy shtetërore dhe një universitet private-publik, nuk mund të thuhet për një popull që shtyllat kryesore të shtet-ndërtimit i ka në hapësirat e veta ku jeton, në gjuhë, në flamur, në universitete, në përfaqësim të drejtë në institucione, në administratë publike, në administratë shtetërore, në polici, në ushtri, Akoma ka punë për të bërë nuk janë përmbyllur të gjitha çështjet, për shembull sa i takon përfaqësimit të drejtë, sa i takon zbatimit në praktikë të gjuhës, sot jemi në hapat e parë, mirëpo një më fal nuk duhet ta kërkojmë te të tjerët por duhesh ta shohim sa jemi ne të përgatitur që të gjitha ato që i kemi fituar me sakrifica t’i zbatojmë”, thotë Ahmeti.

Ai thotë se duhet një punë sistematike në mënyrë që të zhduken paragjykimet që janë për shqiptarët kinse duan të dominojnë dhe zotërojnë tërë Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Kur pyetet për raportet me partnerin qeverisës, LSDM-në e Zoran Zaev, Ahmeti thotë se vazhdojnë të kenë bashkëpunim ani pse ka dallime në mes tyre.

Ai thotë se partneriteti i tyre do të vazhdojë deri në zgjedhjet e 12 prillit.

“Por në këtë vend akoma jemi të organizuar mbi baza etnike, dhe në këtë vend akoma ka nevojë që shqiptarët të përfaqësohen nga parti politike shqiptare me dinjitet po edhe me përgjegjësi, sepse te gjitha kërkesat e shqiptarëve nuk arrijmë dot t’i plotësojë një parti e bllokut maqedonas sepse sigurisht që akoma ka paragjykime, akoma janë partitë politike nën presion të një pjese të shoqërisë, sepse paragjykimet nuk eliminohen arenda viti, sepse janë padrejtësi po edhe përplasje që kanë zgjatur me shekuj, dhe ajo që rrënjoset me shekuj, nuk çrrënjoset brenda një dite”, thotë ai.

Ndërsa i pyetur për një bashkëpunim të mundshëm me partitë shqiptare, Ahmeti thotë se tentativa të tilla kanë rezultuar pa sukses.

“Sigurisht kjo varet edhe nga vullneti i partive të vogla shqiptare, duhet vullnet i të gjitha palëve… Sigurisht ne kemi insistuar, kemi komunikuar, por të gjitha tentativat nuk janë përmbyllur me sukses për fat të keq”, thotë Ahmeti.

Caktimi i datës së zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut u bë në pajtueshmëri mes të gjitha partive politike dhe presidentit të vendit. Kjo erdhi pasi vendi dështoi të marrë datën për hapje të negociatave me Bashkimin Evropian.

Ahmeti shprehet optimist që gjërat të ndryshojnë pozitivisht dhe të hapen negociatat me BE-në, ndërkohë dështimin nuk e sheh faj të qeverisë.

“I kam parë në një prizëm analitik, sidomos pjesa franceze që nuk janë pa eksperiencë janë me shumë përvojë në organizim, në politikë e diplomaci, e kam parë si një moment që shënoi dëshpërim tek shumë drejtues të vendeve të cilat aspironin për të hapur negociatat sepse mu duk që po përjashtohemi nga regjistrimi për të pasur të drejtë të fillojmë mësimin në një shkollë, ne deshëm të regjistroheshim në klasën e parë dhe nuk na u dha kjo mundësi, na u mohua një e drejtë. Ne nuk kërkuam të certifikohemi me diploma, pa mësuar abc-në, ne kërkuam të mësonim abc-në, kërkonim që Evropa të na ndihmojë me programet e tyre, me eksperiencat e tyre rreth përmirësimit të standardeve, rreth funksionimit të shtetit ligjor, mirëpo kjo e drejtë, për shkak të divergjencave pësuam të gjithë ne që prisnim një rezultat pozitiv”, thotë Ahmeti.

Ai shton se nuk duhet humbur besimi dhe rrugë e vetme për ta është Bashkimi Evropian dhe anëtarësimi në NATO.

Më 3 janar pritet të hyjë në fuqi marrëveshja e Shkupit, me të cilën qartësohet se tre muaj para se të mbahen zgjedhjet ngrihet qeveria teknike e cila do të merret vetëm me organizimin e zgjedhjeve.

Ndërkohë menjëherë në shkurt pritet të bëhet shpërndarja e parlamentit.


Shtuar 1.01.2020 13:45