Si të dalloni syzet e diellit origjinale nga ato imitim

Është koha ideale për të bërë zgjedhjen e duhur të syzeve të diellit, ndaj mos gaboni në zgjedhjen e tyre. Nuk po flasim për markat, por për cilësinë e tyre.

Syzet e diellit nuk mund t’i cilësojmë vetëm si aksesor, sepse ato kanë si funksion parësor mbrojtjen e syve nga rrezet e dëmshme UVA dhe UVB.

Syzet ndahen në shumë kategori, si në syze të markave të njohura të cilat kushtojnë më shtrenjtë si dhe në syze të markave më pak të njohura që kushtojne më pak (për shkak se firma e tyre nuk është e njohur), por të dyja e kryejnë funksionin kryesor të syzeve të mbrojnë syrin nga rrezet e dëmshme ultraviolet.

Nëse me rrobat nuk ka problem, sepse copat fallco nuk e dëmtojnë lëkurën, te syzet ndryshon problemi sepse ato e dëmtojnë syrin. Në këto raste lentja është problematike, sepse ajo jo vetëm që nuk e mbron syrin nga rrezet e dëmshme UVA dhe UVB, por shkakton dhe errësim dhe rrjedhimisht pupila (bebja e syrit) zmadhohet duke përthithur më shumë rreze të dëmshme për syrin. Pra, e rëndësishme për konsumatorin është që kur të blejë një palë syze dielli mos t’i shikojë si një aksesor, por si mbrojtje të domosdoshme të syve nga dielli.

Shumë prej nesh mund të kenë rënë pre e shitjeve të syzeve në ambiente publike, si në plazhe apo në rrugë. Duke u joshur nga çmimi, nxitojmë t’i blejmë ato, pa u menduar dy herë, por gabojmë duke bërë një zgjedhje fatale për sytë. Pasi keni paguar aq pak, ka shumë mundësi që në të ardhmen, të shpenzoni dhjetëfishin tek okulisti për shëndetin e syve. Kjo sepse dëmet që shkaktojnë syzet jo origjinale janë të pakthyeshme.

Por në disa raste ndodh që syzet që shiten në treg, plazh apo fatkeqësisht edhe në disa dyqane optike janë syze fallco, ato shiten sikur janë të vjedhura, por në fakt janë syze fallco, imitacione që shiten për origjinale.

1. Syzet duhen të blihen në dyqane optike ose në dyqanet e luksit të cilët mbajnë artikuj luksoze si rroba, ora, bizhuteri e ndër to mund të ketë dhe syze origjinale firmato. Megjithatë gamën e plotë të syzeve të diellit e gjeni në dyqanet optike.

2. Syzet nuk duhen të blihen në treg apo në stendë në plazh apo në ndonjë vend tjetër të pakontrolluar. Çmimet e syzeve 500 apo 600 lekë të reja tregojnë për një kualitet shumë të dobët dhe për një mosmbrojtje totale të syrit nga rrezet e dëmshme ultaviolet.

3. Nuk duhet të blini syze që ju ofrohen si origjinale dhe tregtohen si të vjedhura, sepse janë thjesht syze fallco. Gjatë stinës së verës në plazh shiten syze Dior apo të markave të tjera të njohura me çmime shumë të ulëta për atë markë syzesh, si për shembull 50 euro, ku në dyqan e gjeni 250 euro. Kjo diferencë kaq e madhe në çmim tregon që syzet janë fallco dhe jo të vjedhura.

4. Depërtimi i rrezeve UVA dhe UVB. Sipas rekomandimit të okulisitit, syri duhet të mbrohet nga syze dielli origjinale nga 95 deri 100 për qind, nga rrezet ultraviolet. Kurse në rastin e syzeve fallco kjo mbrojtje nuk ofrohet, duke i shkaktuar syrit dëmtime në planin afatgjatë.

5. Vërtetimi i kodit, syzet firmë origjinale mund të vërtetohen shumë thjesht. Falë avancimit të teknologjisë, ju mund të identifikoni lehtësisht në internet kodin e tyre, sepse kodi i syzeve fallco ndryshon tërësisht nga kodi i syzeve origjinale. Dhe kjo ju paraqitet menjëherë online. Kjo është një mënyrë tjetër për të identifikuar syzet origjinale nga syzet “e vjedhura”.

6. Gdhendja e kodit. Shumë nga fimat e njohura kanë të gdhendur në fund të njërit bisht, inicialet e firmës së tyre, p.sh. firma Tom Ford ka të gdhendur TF, gjë që nuk e gjeni te syzet fallco.

7. Gdhendja e logos së firmës te hundëzat. Shumë prej firmave kanë të gdhendura logon e tyre tek të dyja hundëzat, si p.sh. Rayban. Por duhet të kini kujdes, sepse tashmë edhe abuzuesit e vendosin logon në hundëzat e syzeve fallco. Ju mund t’i dalloni sepse syzet origjinale e kanë logon të gdhendur, kurse ato fallco e kanë logon vetëm të shkruar, pa gdhendje.

8. Papërsosmëritë dhe detajet e imëta të syzeve të diellit origjinale duhet të përcaktohen vetëm në qendra optike të specializuara.


Shtuar 17.06.2020 10:51