Gjurmë të ADN-së, zbulohen në kafkën e fosilizuar të dinozaurit

Një studim i ri tronditës sugjeron që studiuesit kanë gjetur gjurmë të ADN-së brenda një kafkë të fosilizuar të një dinozauri.

Studimi, i botuar në revistën “National Science Review”, pretendon se gjurmët e qelizave të kërcit, kromozomet dhe ADN-ja u ruajtën në një dinozaur 75 milionë vjeçar, i njohur si Hypacrosaurus. Dy qeliza të kërcit u gjetën të lidhura së bashku dhe materiali që ngjason me një bërthamë qelizore u gjet gjithashtu.

“Unë nuk mund ta besoja, zemra ime pothuajse pushoi së rrahuri”, tha autorja kryesore e studimit, Alida Bailleul.

Studiuesit thanë se gjetën “matricën organike që rrethon qelizat e kërcit të fosilizuar që iu përgjigjen antitrupave të Kolagjenit II”, të përshkruar si “proteina mbizotëruese të kërcit në të gjithë vertebrorët”.

“Ky test imunologjik mbështet praninë e mbetjeve të proteinave origjinale të kërcit në këtë din ozaur,” shtoi bashkautorja e studimit, Mary Schweitzer.

“Ruajtja e kromozomeve është e jashtëzakonshme dhe është raportuar vetëm një herë më parë në vitin 2014 në një bimë me fosile”, tha Bailleul për Fox News.

“Lloji i tillë i ruajtjes qelizore është i jashtëzakonshëm. Ne bëmë teste kimike që lidhen me ADN-në dhe dolën pozitive. Ato ishin brenda qelizave të izoluara të dinozaurit, saktësisht aty ku duhet të jenë bërthamat dhe kromozomet. Ende nuk e dimë se sa ADN-ja e dinozaurit është e ruajtur mirë. Nuk ka asgjë që sugjeron se bëhet fjalë për një kontaminim, por ka të ngjarë të jetë mbetje e ADN-së e dinozaurit”.

Deri më tani, mostra më e vjetër e ADN-së e gjetur ka qenë nga një kalë 700.000-vjeçar në vitin 2015, dhe mostra më e vjetër e proteinave e zbuluar deri tani është nga një vezë struci 3.8 milionë vjeç.

Materiali organik ende nuk mund të nxirret, kështu që nuk mund të renditet. Mund t ë jetë gjithashtu që materiali është në fragmente minuskulë ose të mbështjella, duke penguar çdo eksplorim të mëtejshëm të tij, shkruan National Geographic.

Dinozaurët u zhdukën 65 milionë vjet më parë nga një asteroid që goditi Tokën, duke shkatërruar 75 për qind të të gjitha specieve në planet.

Asteroidi, sipas shkencëtarëve, kishte fuqinë e 60 miliardë bombave atomike.


Shtuar 11.03.2020 13:50