U rraskapit për 12 orë në punë, vdes infermjeri 23 vjeçar në Britani

Një infermier i ri britanik, i cili vdiq pasi trajtoi pacientë me koronavirus, ishte sëmurur në punë, por nuk u lejua të shkonte në shtëpi, sepse reparti i tij ishte me shkurtim stafi.

John Alagos, 23 vjeç, infermieri i tretë dhe më i riu britanik që besohet se ra pre e virusit vdekjeprurës Covid-19, vdiq në shtëpi pas një turni rraskapitës 12-orësh.

Nëna e tij, Gina Gustilo, 50 vjeç, tha për “The Mail on Sunday” se djali i saj nuk kishte veshjet e duhura mbrojtëse gjatë punës.

Ai u kthye në shtëpi të premten pas një turni të gjatë dhe u ankua për dhimbjen e kokës dhe temperaturën e lartë gjatë gjithë natës, sipas nënës së tij.

Me lot në sy, Gustilo tha: “Unë e pyeta se pse nuk erdhi në shtëpi dhe ai tha se kishte pyetur personelin tjetër, por ata nuk e lanë të shkonte se ishin pak në numër. Unë i thashë të merrte pak paracetamol. Pas disa minutash, e gjeta duke u bërë blu në shtratin e tij”.

Alagos po trajtonte pacientët me koronavirus në Spitalin e Përgjithshëm Watford, i cili mbrëmë deklaroi për një “incident të rëndësishëm” dhe mbylli departamentin e tij A&E pas një problemi me furnizimet e tij me oksigjen.

Gustilo tha se kolegët e djalit të saj i thanë se ai nuk kishte veshjen mbrojtëse ‘të duhur’, duke shtuar: “Ata veshin PPE, por jo plotësisht mbrojtëse të gojës. Ata vendosin maska normale”.

Pasi e gjeti djalin e saj pa ndjenja në dhomën e gjumit të tij, Gustilo thirri menjëherë urgjencën, por mjekët nuk ishin në gjendje ta rikthenin.

Spitali i Përgjithshëm Watford bëri një deklaratë pas ngjarjes: “Stafi ynë është informuar plotësisht për simptomat e Covid-19 dhe ne kurrë nuk do të prisnim që dikush të qëndronte në punë nëse ata po shfaqnin këto simptoma… Ne e kemi mbajtur gjithmonë stafin tonë të azhurnuar në udhëzimet e fundit të PPE për t’u siguruar që ata kanë nivelin e duhur të mbrojtjes”. Një zëdhënëse shtoi: “John ishte shumë i dashur dhe do na mungojë shumë”.

Gustilo tha se djali i saj nuk vuante nga sëmundje të tjera.

Javën e kaluar, dy infermiere të tjera të linjës së parë të përballjes me pacientët me Covid-19 u infektuan dhe humbën jetën. Nëna e tre fëmijëve, Areema Nasreen, 36 vjeç, e cila nuk kishte sëmundje të tjera dhe Aimee O’Rourke, 39 vjeç, gjithashtu nënë e tre fëmijëve.

Në një mesazh në “Facebook”, të postuar katër ditë para se të vdiste zonja O’Rourke, vajza e saj, Megan Murphy, shkroi me zemërim: “Ne e dimë që po ktheheni në shtëpi, por ndoshta jo për këtë.

Si mund të jetë mamaja ime e bukur, shoqja ime përgjithmonë më e mirë, arsyeja që marr frymë, aq e dobët pas gjithë të mirave që ajo ka bërë dhe bën?”, citon ‘Mail‘.

Gjithashtu, mbrëmë u bë e ditur se pesë shoferë të autobusëve në Londër kishin vdekur nga virusi.

Drejtuesit e Sindikatës së Bashkuar bënë thirrje për mbrojtje më të mirë për drejtuesit dhe pastrim më të thellë.


Shtuar 5.04.2020 12:15