Tritoli në Shkodër, sulm ndaj efektivit të policisë (FOTO LAJM)

Gjatë natës së djeshme, dy shpërthime tritoli kanë tronditur Shkodrën.

Sipas raportimit të policisë mësohet se shpërthimi i parë ka ndodhur rreth orës 21:50 në lagjen Guerrile, ku pre e sulmit ishte shtëpia e oficerit të Policisë, Prelë Milani, me detyrë shef i stacionit policor në Theth të Dukagjinit. Ndërsa shpërthimi i dytë ka ndodhur në fshatin Grudë e Re të Shkodrës rreth orës 01:00 e mëngjesit në shtëpinë e Kolë Bungajës. Për fat nga dy këto shpërthime ka pasur vetëm dëme materiale.

Sulmi me tritol ndaj Prel Milanit dyshohet se ka ndodhur për shkak të detyrës. Sasia e tritolit është vendosur në pjesën e pasme të oborrit të shtëpisë pranë një magazine në të cilën mban veglat e punës dhe mjetet tjera, rreth 15 metra larg shtëpisë së banimit.

Abc neës raporton se oficeri i Policisë Prelë Milani në momentin që ka dalë nga shtëpia dhe i është drejtuar Komisariatit të Policisë për të marrë shërbimin si oficer i gatshëm i policimit në komunitet, ka dëgjuar fillimisht një shpërthim por pa i kushtuar rëndësi. Më pas kanë qenë familjarët ata që kanë kontrolluar shtëpinë dhe oborrin përreth kur kanë konstatuar deren e magazinës të dëmtuar dhe një gropë me një diameter rreth 30 cm në beton.

Ende nuk është përcaktuar sasia e lëndës plasëse e vëndosur. Ndërsa dyshohet se vendosja e tritolit është për shkak të detyrës si Përgjegjës i Postës në Theth, si dhe dyshimet e para janë për shkak të operacioneve të kryera në zonën e Dukagjinit në luftë kundër kultivimit të lëndëve narkotike.

Nga ana tjetër vetë oficeri i Policisë Prel Milani dhe familja e tij nuk kanë konflikte. Në momentin e shpërthimit në shtëpi kanë qenë bashkëshortja dhe vajza e oficerit ndërsa vetë oficeri ka qenë në automjet duke shkuar në komisariat të policisë në Shkodër.

Prel Milani përveçse oficer policie është edhe studiues dhe shkrimtar i njohur në Shkodër, kryesisht me studimet e tij për treven e Dukagjinit, dhe personaliteteve të kësaj zone.

Ndërsa pak orë më pas një sasi e konsiderueshme lënde plasëse që dyshohet si tritol është vendosur në deren e shtëpisë së shtetasit Kolë Bungaja në fshatin Grudë e Re të Shkodrës. Në momentin e shpërthimit e gjithë familja ndodhej në gjumë. Ndërsa nga shpërthimi është dëmtuar dera hyrese e shtëpisë. Nuk dihet shkaqet dhe cilët kanë qenë motivet e këtij sulmi ndaj familjes Bungaja. Policia e Shkodrës dhe Prokuroria ka nisur hetimet për këto dy ngjarje.


Shtuar 5.01.2020 07:52