“Strucët fshehin kokën”, si u pre në besë mësuesi turk

Një mësues turk, anëtar i lëvizjes gyleniste është dërguar “pako” nga qeveria shqiptare drejt Turqisë, duke iu dorëzuar në këtë mënyrë Erdoganit.

Për këtë shkelje të të drejtave, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj nuk ka bërë asnjë deklaratë duke mos dhënë asnjë shpjegim sesi ndodhi kjo ngjarje e cila e rreshton vendin tonë bashkë me Kinën dhe Iranin, të cilat dorëzuan persona të lëvizjes gyleniste në Turqi.

Ndërkohë si rrallëherë, Rama nuk del të reagojë personalisht por me anë të një komunikimi për Birn, zyra e tij mohon të mbajë përgjegjësi për këtë punë duke ia pasuar Lleshit dhe ligjit.

Nga ana tjetër në një ditë kur të gjithë pushojnë, gjykatësi Kreshnik Omeri bëhet i zellshëm dhe në 1 janar, kur vëmendja është shumë e vogël për të mos thënë inekzistente, merr vendimin për përfundimin e dënimit të Harun Çelik, 42 vjeç.

Por pas lirimit të tij, Harun përfundon në Drejtorinë e Migracionit dhe pasi mbahet disa orë aty në mënyrë të paligjshme, Celik shoqërohet si një “i rrezikshëm ndërkombëtar” me makina policie në aeroportin e Rinasit.

Më pas mësuesi turk dërgohet drejt Turqisë, duke shkelur hapur të drejtat e njeriut dhe duke vënë në rrezik Harun Celik, të cilit i është mohuar gjithashtu edhe kërkesa për azil.

Ndaj këtij qëndrimi të Shqipërisë, për të cilin askush nuk del të marrë përgjegjësi ka reaguar ashpër edhe Europa.

Eurodeputetja Ramona Strugariu e gjykon në mënyrë kritike këtë vendim dhe i kujton Ramës të shfletojë ligjin pasi ka shkelur të drejtat e një individi. /albeu.com/


Shtuar 2.01.2020 11:41