Kryeministri Edi Rama ka thënë nga Kuvendi se ndryshimet Kushtetuese do të miratohen në 30 Korrik, dhe se çdo diskutim tjetër që duket se bëhet në Këshillin Politik nuk do të merret parasysh.
Rama tha i vendosur se Kuvendi është institucion legjitim, dhe se të gjithë do ta njohin dhe do ti nënshtrohen ndryshimeve Kushtetuese, që do të kalojnë ditën e enjte.
“Mos u lodhni duke kundërshtuar 30 Korrikun, është një marrëveshje e kryer, është vullneti i këtij parlamenti, që mund të jetë ilegjitim për Ilir Metën sipas rastit, se kur votohet 5 Qershori ju jeni legjitim, dhe kur votohet 30 Korriku ju jeni ilegjitim. S’ka refuzuar unë që të ulem në tavolinë me Lulzim Bashën, ka refuzuar Lulzim Basha që të jetë në tavolinë me mua”, deklaroi Rama.
Ndërkohë që edhe sot në Kuvend, Rama nuk e fshehu faktin që i gjithë synimi i ndryshimeve Kushtetuese është heqja e koalicioneve, pasi tha se listat mund të jenë edhe 100% të hapura, por kjo duhet të negociohet.
“Janë të ftuar që të na bashkohen në diskutime, se ishte Rudina Hajdari e Myslim Murrizi dëshmitar, se iu thamë që të na tregonin një vend që e ka koalicionin siç e kemi ne sot, dhe përgjigja që morëm ishte se gjendej në një libër të La Sapienzas”, tha Rama.
“Listat do të hapen dhe koalicionet do të bëhen fiks ashtu siç ndodh në Europën ku ne duam të integrohemi”, përfundoi ai.