“Pogba do rikthehet në Torino”, e konfirmon ish-lojtari i Juventusit

Mohamed Sisoko, ish-mesfushori i Juventusit dhe i Liverpulit, në një prononcim për anglezen “Daily Mail”, ka dashur të japë mendimin e tij mbi një rikthim të mundshëm të Pol Pogbasë në Torino, por në të njëjtën kohë ka vënë bast edhe mbi finalen e Ligës së Kampioneve, që sipas afrikanit do të jetë një sfidë mes Juventusit dhe Liverpulit, pasi dy klubet në fjalë do të dinë se si të përmbysin humbjet e pësuara në ndeshjet e vajtjes së 1/8-ave.

“Pogba? Mendoj se do të rikthehet te Juventusi. Që ai do të largohet nga Mançester Junajtid dhe Anglia, duket qartësisht çdo ditë e më shumë, por unë mendoj se duke parë edhe se si ka evoluar karriera e tij në vitet e fundit, vetë Pogba e di mirë se Juventusi do të ishte skuadra e duhur për të, pikësëpari për të rigjetur veten.

Fakti që aty ka shumë miq, por edhe një klub që njeh dhe mbi të gjitha ku tifozëria e adhuron, duket sikur e dërgon automatikisht sezonin e ardhshëm në Torino, ndonëse këtë ribashkim duhet ta dojë edhe Juventusi, – shprehet Sisoko, që lidhur me Champions-in vazhdon.

Dy surprizat e ndeshjeve të vajtjes ishin humbjet e Juves dhe Liverpulit, por unë mendoj se këto ishin thjesht dy aksidente rrugore.

Nëse Liverpuli është skuadra më e frikshme në qarkullim për momentin, unë besoj se edhe Juvja me ndihmën e Ronaldos dhe eksperiencën që ka do përmbysë Lionin dhe do takohen me të kuqtë në finale”.


Shtuar 5.03.2020 19:12