Mijëra euro e bizhuteri në Portin e Durrësit, çfarë deklaroi në polici shkodrani i arrestuar

Policia Kufitare ka goditur një rast të tentativës së kontrabandës me mallra që paguhet akcizë dhe të mosdeklarimit të të hollave në kufi.

Gjatë kontrollit në Portin e Durrësit, në bashkëpunim edhe me specialistët e Trafiqeve të Paligjshme dhe ata të hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në Policinë e Durrësit, në kabinën e shoferit A. M. janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 60 960 euro, si dhe 46 artikuj (bizhuteri) floriri.

“Si rezultat i kontrolleve të shtuara bazuar dhe në analizën e riskut të bërë nga shërbimet e Policisë Kufitare është kaluar në vijën e dytë për kontroll më të imtësishëm, minibusi i linjës Shqipëri-Francë-Shqipëri, me drejtues shtetasin A. M.

Në kabinën e shoferit A. M. janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 60960 euro, si dhe 46 artikuj (bizhuteri) floriri. Në vijim të veprimeve hetimore është arrestuar në flagrancë drejtuesi i mjetit, shtetasi A. M., 48 vjeç, banues në Shkodër”, tha Policia.

48- vjeçari ka deklaruar se nuk kishte dijeni për sasinë e vlerave monetare dhe bizhuteritë, ndërsa pretendon se dikush mund t’i ketë fshehur pa dijeninë e tij dhe në momentin që do të mbërrinte kamioni në Shqipëri do t’i merrnin.

“Nuk e kam idenë fare. Ato s’më përkasin mua. Dikush mund t’i ketë vendosur apo fshehur pa dijeninë time dhe më ka përdorur mua për t’i kaluar në kufi”, ka deklaruar ndër të tjera shkodrani.


Shtuar 8.09.2020 11:24