Messi arrin një rekord personal me Barcelonën

Lionel Messi vazhdon të bëjë historinë me fanellën e Barcelonës.

“Pleshti” theu dhe një rekord tjetër në triumfin e Barcelonës 5-0 ndaj Leganesit, e vlefshme për Kupën e Mbretit.

Me fitoren e sotme të ekipit katalanas, Messi arriti plot 500 fitore në karrierë me fanellën e klubit blaugran.

Për të arritur një numër kaq të madh fitoresh, atij iu deshën 710 ndeshje . Në total, Messi grumbullon, përveç këtyre 500 fitoreve, 131 barazime dhe 79 humbje. E shprehur në një mënyrë tjetër, Messi ka fituar shtatë nga dhjetë ndeshjet e luajtura që kur debutoi zyrtarisht me Barcelonë më 16 tetor 2004, kundër Espanyol , kur ishte 17 vjeç.

Kujtojmë që në ndeshjen e sotme, Messi ishte protagonist për skuadrën e tij edhe me një dygolësh.


Shtuar 30.01.2020 21:35