“Më dridhej trupi dhe më merreshin mendtë”, nxënësja në Fier bën rrëfimin rrëqethës

Nxënësit e gjimnazit “Janaq Kilica” në Fier për herë të dytë brenda dhjetë ditëve janë helmuar për shkaqe që akoma nuk bëhen të ditura.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e kësaj të merkure ku mbi 30 nxënës janë dërguar në urgjencën e spitalit të Fierit, pas problemeve me frymëmarrjen dhe djegie në lëkurë e sy. Një situatë e pazakontë kjo, që në reagimin e policisë thuhet se helmimi dyshohet se ka ardhur si pasojë e hedhjes së një spraj piperi nga një nxënës i kësaj shkollë.

Abcnews.al raporton se numri i nxënësve të helmuar në gjendje të fikti që vijojnë të paraqiten pranë ambjenteve të Spitalit të Fierit është në rritje. Pas kontakteve me prindër dhe nxënës në ambjentet e jashtme të spitalit mësohet se situata ka qenë problematike më shumë në katin e dytë dhe të parë të shkollës ku është dëgjuar një aromë gazi, duke shkaktuar marrjemende dhe probleme në frymëmarrje.

Një nxënëse e kësaj shkolle ka thënë se ndryshe nga situata e parë kjo e sotmja ishte një situatë kaotike.

“Isha në katin e parë po ndihmoja gocat që të merrnin çantat, era u ndie edhe tek palestra. Dolëm të gjithë jashtë. Unë akoma ndjejë probleme, ndjej dridhje trupi dhe formë bllokimi, pasi në momentin e fundit kam qenë në katin e dytë me një shoqë e cila po ndihmonte motrën e saj në katin e dytë ku u hodh. Profesorët na thoshin se nuk ka asnjë nxënës brenda, por aty ishin 30 nxënës të vitit të parë, por tashmë nuk e di nëse janë mirë apo jo. Pati disa nxënës të cilët u ra të fikët. Ngjarja ka ndodhur te godina e vjetër në katin e dytë”, tha nxënësja e shkollës “Janaq Kilica”.


Shtuar 4.03.2020 12:20