Ish-ministri zbulon “çunat problematikë” të Vettingut: Nuk është vetëm Luan Daci

Ish-ministri i drejtësisë Ylli Manjani ditën e sotme i është drejtuar shefes së ONM-së, Genoveva Ruiz Calavera, pas deklaratës së kësaj të fundit se pezullimi nga detyra të anëtarit të kolegjit të posaçëm të apelimit, Luan Dacit nuk e dëmton procesin, por është provë që sistemi ka filluar të funksionojë në mënyrë efektive.

Sipas Manjanit, Luan Daci nuk është “problematiku” i vetëm dhe nëse hetohet do të zbulohen edhe xhevahirë të tjerë tek organet e vettingut.

Shkrimi i Manjanit

Për dijeninë e zonjës Calavera, Luan Daci nuk është “problematiku” i vetëm i emëruar në strukturën e vetting. Absolutisht jo! ONM ka patur dhe ka ende mandatin të verifikojë të emëruarit aty. Mund të verifikohen lehtësisht të emëruarit në këtë strukturë duke sqaruar me radhë këto çështje:

1. Kujt nuk i korrespondon data e fillimit të punës si avokat me datën e marrjes së NIPT? Ka raste që kjo mospërputhje është me vite. Pra ose kanë punuar në të zezë, ose skanë punuar fare.

2. Kush ka qenë funksionar politik në një parti politike?

3. Kush i fshehu masat disiplinore në CV?

4. Kush ka qenë më parë i pandehur apo person nën hetim?

5. Cili nga ato që paraqiti një vërtetim të gjuhës angleze e ka dhënë rregullisht provimin e gjuhës së huaj? Bëni një test gjuhe.

Ka dhe çështje të tjera, që flasin për konflikt interesi, por kaq mjafton. Verifikojini këto çështje që të kuptojmë të gjithë se kush janë ata që vetojnë drejtësinë..! Xhevahire do dalin. Nuk ka legjitimitet as besueshmëri, pa moral! Le pastaj të lexosh vendimet që ata prodhojnë! Janë llogjikisht të pa lidhura, të keqshkruara, me argumente abuzive dhe me gjuhë arrogante


Shtuar 28.05.2020 18:02