I jepet lamtumira Maks Velos

Është përcjellë për në banesën e fundit nga një grusht njerëzish arkitekti dhe piktori i shquar Maks Velo. Varrimi i tij u bë në Tufinë, i shoqëruar nga shumë pak persona, siç e kërkojnë rregullat e luftës kundër koronavirusit.

Në këtë periudhë Pandemie, ai nuk mundi të ketë një ceremoni varrimi si të tjerat, rrjedhimisht Ministria e Kulturës organizoi një ceremoni nderimi duke thënë se kushdo që donte ta nderonte atë mund të dërgonte buqeta me lule në ambientet e Ministrisë.

Maks Velo u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare, ditën e djeshme pas një sëmundje të rëndë.

Maks Velo ishte piktor, arkitekt, studiues dhe shkrimtar. Ai vuajti denimin në burgje gjatë regjimit komunist dhe një pjesë e krijimtarisë së tij i është dedikuar dimensionit të lirisë në diktaturë. Gjatë viteve të fundit mori pjesë gjerësisht në debatet për menaxhimin e hapësirës publike përmes artikujve publicistikë dhe aktiviteteve të tjera.


Shtuar 8.05.2020 10:19