Gjiknuri: PD nuk ka sjellë asnjë propozim për ndryshimin e sistemit

Pas mbledhjes së Këshilit Politik, bashkëkryetari i tryezës së Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, është shprehur se sot palët kanë rënë dakord për rihapjen e kutive të votimit, pas procesit.

Gjatë një prononcimi për mediat, Gjiknuri tha se sa i përket ndryshimit të sistemit opozita nuk ka paraqitur në tryezë asnjë propozim për ndryshimin e sistemit.

Ndërsa sa i përket çështjes së teknologjisë për të cilën palët kanë rënë dakord në parim, do të shihet mënyra se si do të shtrihet ajo në të gjithë vendin. Por nga ana tjetër Gjiknuri theksoi se qeveria është e mendimit që në zonat që nuk është e mundur shtrirja e teknologjisë të mos penalizojë zgjedhjet, por ai proces të vazhdojë.

“Sot PD kërkoi një propozim për sistemin e procesit të ankimit zgjedhor ku do të përfshijë Gjykatën Kushtetuese dhe ekspertët morën kohë për ta shqyrtur këtë gjë.

Ne jemi të vendosur për përfshirjen e teknologjisë, por në atë masë që është e mundur dhe nuk vë në pikëpyetje gjera që nuk janë në dorën e njeriut. Ne kërkojmë që nëse është e pamundur shtrirja e teknologjisë në të gjithë vendin ne të vazhdojmë zgjedhjet.

PD nuk ka sjellë asnjë propozim për ndryshimin e sistemit në tavolinë. Se çfarë deklaratash bëjnë andej këtej nuk komentoj dot. Për çështjen e sistemit kemi lënë dy tre-ditë kohë dhe asnjë propozim nuk ka ardhur.

Ne jemi të hapur për trajtimin e sistemit zgjedhor, por do të shprehemi të fundit, sepse qeveria shprehet e fundit”, tha Gjiknuri.


Shtuar 29.05.2020 13:29