Duka takohet me Metën, futbolli drejt rikthimit

Kur do të rinisë futbolli në Shqipëri, është kjo pyetja që Federata Shqiptare e Futbollit po kërkon t’i japë një përgjigje. Mungon ende konfirmimi nga qeveria edhe pse FSHF e ka bërë gati protokollin për masat e sigurisë që do të ndiqen në rast se Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve do të japë ok-in për rikthimin e futbollit të luajtur, një protokoll ky i përgatitur sipas udhëzimeve të UEFA-s.

Ndërkohë këtë të enjte presidenti i FSHF-së Armand Duka është takuar me presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, ku kanë disktuar pikërisht për rinisjen e futbollit, me Metën që është shfaqur optimist duke nënvizuar se futbolli është vaksina më e mirë kundër koronavirusit.

“Kënaqësi të prisja sot Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, z.Armand Duka, i cili më njohu me protokollin sanitar të përgatitur nga ekipi mjekësor i FSHF-së, sipas udhëzimeve të UEFA-s, për rifillimin e aktiviteteve futbollistike sa më parë të jetë e mundur.Besoj se me përpjekje dhe mirëkuptim, ashtu si edhe në shumë vende të tjera, edhe ne t’i rikthehemi në kushtet e reja dhe me protokollin e duhur sanitar, jetës futbollistike, por edhe sportive në vend. Nuk ka vaksinë më të mirë për mbrojtjen e shëndetit se sa sporti”, ishin fjalët e presidentit Meta.


Shtuar 7.05.2020 11:51